TIRANË, 28 mars/ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin 2021.
Relatori i projektrezolutës, Laert Duraj u shpreh se treguesit kryesorë të performancës në sektorin e UK paraqiten me një përmirësim të lehtë pothuajse në të gjithë treguesit, pas përkeqësimit që këta tregues pësuan gjatë pandemisë si edhe tërmetit në Shqipëri. Po ashtu, Duraj theksoi nevojën e përmirësimit të aspekteve të menaxhimit nga shoqëritë UK për ti bërë ato më të qëndrueshme financiarisht si edhe për të rritur transparencën e tyre me konsumatorët.
“Vlerësohet se në vitin 2021 ka një përmirësim të lehtë në pothuajse të gjithë treguesit kryesorë të performancës, me përjashtim të treguesve të mbulimit të kostove dhe kohëzgjatjen e furnizimit me ujë, tregues këta të cilët mbeten në të njëjtin nivel me një vit më parë”, nënvizoi Duraj.
Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të instrumenteve rregullatorë dhe studimeve të ndryshme sidomos atyre që lidhen me aplikimin për ndryshimin e tarifave, eficiencën operacionale të shoqërive si dhe përmirësimeve në drejtim të trajtimit të ankesave të konsumatorëve.
Duraj vuri në dukje se përmirësimi i gjendjes së sektorit UK për vitin 2021, vjen si rezultat i rritjes së performancës së shoqërive UK në drejtim të menaxhimit si në rritjen e faturimit, arkëtimeve të faturave të vitit dhe atyre të prapambetura, shtimin e numrit të matësve dhe uljen e humbjeve të cilat kanë ndikuar më pas në të gjithë treguesit e tjerë.
Po ashtu, ai paraqiti edhe rekomandimet përkatëse sa i përket kësaj projektrezolute.
Kreu i Komisionit, Pëllumb Seferi theksoi se qeveria ka ambicie për të sjellë një ndryshim në çështjen e menaxhimit të ujësjellës kanalizimeve.
“Agregimi, ekonomia e shkallës, ndoshta edhe ndryshimi i pronësisë së ujësjellës kanalizimeve mund të shikohet. Në rast se kjo do të ndodhë, ne i sugjerojmë ERRU-së të jetë pjesë e këtij diskutimi. Në rast se qeveria do të ecë me këtë projekt me mënyrën se si do të agregohet dhe si do të jetë çështja e pronësisë, ERRU të jetë pjesë si një ent me eksperiencë të caktuar në këtë fushë”, tha ai.
/r.e/






















