Ballina Bota

BRUKSEL – BE refuzon ”pasaportat e arta” për rusët dhe bjellorusët

BRUKSEL, 28 mars /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të tërheqin shtetësinë e BE-së, përmes skemës së ”pasaportave të arta”, që u jepen individëve rusë dhe bjellorusë nën sanksione.

”Rusët dhe bjellorusët nën sanksione dhe ata që mbështesin luftën e Putinit nuk mund të blejnë rrugën e tyre drejt BE-së”, tha në një deklaratë komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.

Bashkimi Evropian miratoi sanksione masive ekonomike që synojnë oligarkët, politikanët dhe liderët e biznesit në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, përfshirë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve në BE.

Një person mund të marrë nënshtetësinë e një vendi të BE-së në këmbim të investimeve të rëndësishme.

Skemat e qëndrimit të investitorëve lejojnë një individ të marrë një leje qëndrimi për një vend të BE-së në këmbim të investimit ose pagesës.

Ekzekutivi i BE-së po u kërkon qeverive të BE-së që t’i japin fund të dyja politikave.

Komisioneri i Drejtësisë i BE-së Didier Reynders tha në një deklaratë se skemat e investimeve paraqesin rreziqe serioze të sigurisë dhe hapin “derën për korrupsionin, pastrimin e parave dhe shmangien e taksave”.

Komisioni ka nisur tashmë procedurat ligjore kundër Maltës dhe Qipros për ofrimin e skemave të tilla.

Ekzekutivi i BE-së u bëri thirrje gjithashtu vendeve anëtare të BE-së të pezullojnë çështjen e lejeve të qëndrimit sipas skemave të investimeve për të gjithë shtetasit rusë dhe bjellorusë, pavarësisht nëse ata janë subjekt i sanksioneve./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeprimtaria e ERRU-së për 2021-shin, miratohet p/rezoluta e Kuvendit
Artikulli tjetërDy humbje jete dhe 16 raste të reja me COVID-19