KIEV, 24 mars /ATSH–DPA/ – Ndërsa qytetet ukrainase i janë nënshtruar një sulmi të ri rus, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje njerëzve në të gjithë botën të demonstrojnë, tashmë që u bë një muaj që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj fqinjit të saj perëndimor.
“Ejani nga zyrat, shtëpitë, shkollat dhe universitetet tuaja. Ejani në emër të paqes, ejani me simbolet ukrainase për të mbështetur Ukrainën, për të mbështetur lirinë, jetën. Shkoni në sheshet dhe rrugët tuaja, lëreni veten tuaj të shihet dhe të dëgjohet”, theksoi Zelensky në një video-mesazh.
“Thoni që njerëzit kanë rëndësi, liria ka rëndësi, Ukraina ka rëndësi”, apeloi presidenti.
”Rusia e filloi luftën kundër lirisë”, tha Zelensky duke shtuar se ”Moska po përpiqet të mposhtë lirinë e të gjithë njerëzve në Evropë dhe pastaj të të gjithë njerëzve në botë”.
”Unë ju kërkoj të kundërshtoni luftën që fillon më 24 mars, saktësisht një muaj pas pushtimit rus”, përfundoi Zelensky./ /os/






















