TIRANË, 23 mars /ATSH/ Autoritetet më të larta të shtetit dhe politikanë shprehën sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.
“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të një nga personaliteteve më të spikatura të politikës së jashtme amerikane, Sekretaren e Shtetit në vitet 1997-2001, Madeleine Albright”, u shpreh Meta.
“Ajo mishëronte në mënyrë të përkryer vlerat më të shkëlqyera të demokracisë amerikane. Me personalitetin e saj të jashtëzakonshëm, Zonja Albright fuqizoi rolin e gruas në politikë dhe frymëzoi gratë kudo në botë për lidership dhe barazi në vendimmarrje”, tha Meta.
“Roli i saj për Çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë ishte jetik dhe mbetet historik, duke i dhënë fund dhunimit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga regjimi kriminal i Millosheviçit, në momentet më kritike për ta dhe të ardhmen e Ballkanit”, theksoi Meta.
“Shqiptarët i janë mirënjohës veprës dhe përkushtimit të saj për vëmendjen e posaçme në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA”, nënvizoi Meta.
“Kam patur privilegjin e veçantë ta prisja në Tiranë, gjatë vizitës së saj zyrtare në shkurt të vitit 2000, të vijonim takimet tona zyrtare në Uashington në gusht 2000, si dhe në shumë raste të tjera, duke ndarë çaste të paharrueshme dhe duke qenë dëshmitar i përkushtimit dhe i vendosmërisë së saj për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan”, shtoi Meta.
Meta u shpreh se, “Zonja Albright nuk do të kujtohet vetëm për pozitat e larta si e para grua, por mbi të gjitha për vlerat për të cilat luftoi dhe virtytet e larta njerëzore, që dëshmoi”.
“Ngushëllime familjareve dhe popullit amerikan për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme! Lutem që shpirti i saj të prehet në paqen e merituar!”, përfundoi mesazhin e tij të ngushëllimit, Presidenti Meta.
Nikolla: Mirënjohës për kontributin e saj në çlirimin e Kosovës
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.
Në mesazhin e saj Nikolla shkruan se, “sot mësuam me dëshpërim ndarjen nga jeta të Madeleine Albraight, ish Sekretares së Shtetit të SHBA. Albright ishte një politikane, shtetare dhe diplomate e shquar, e cila i shërbeu me përkushtim atdheut të saj të dytë, ShBA, ku emigroi në moshën 11-vjeçare nga vendlindja e saj, Çekosllovakia”.
“Ajo hyri në shërbimin publik dhe jetën politike për tiu përkushtuar vendit të saj, kombeve dhe njerëzve kudo në planet, si një njeri i lirë, vizionare dhe luftëtare e paqes. E 64-ta Sekretare e Departamentit të Shtetit dhe e para grua në këtë detyrë, Albright kontribuoi që Shtetet e Bashkuara të bëhen një udhëheqës moral, komb dhe faktor i domosdoshëm dhe thelbësor në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke kombinuar rolin vendimtar të ShBA me aleancat dhe vendimet multilaterale”, theksoi Nikolla.
“Shqipëria dhe shqiptarët i jemi mirënjohës Sekretares Albright për kontributin e saj përcaktues në vendimin për sulmet e NATO-s, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës. Pushoftë në paqe!”, u shpreh Nikolla.
Spiropali: Emri i Albright në historinë e shqiptarëve
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali shprehu sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright
“Zonja sekretare E para grua në atë detyrë, e ka shënuar emrin e saj në historinë e shqiptarëve sepse ka bërë për ta shumë më shumë se shumëkush tjetër! Një grua, e cila, e armatosur me humanizëm dhe realizëm, me forcë dhe shpresë, me mençuri dhe vizion, u bë pjesë e projektit modern të lindjes në Evropë të shtetit më të ri, Kosovës”, u shpreh Spiropali.
“Një grua, politikane njerëzore dhe pasionante që goditi të ligën, ndëshkoi nacionalfashizmin e ri në mes të Evropës dhe i dha frymë dhe fytyrë projektit të politikës humane. Një grua që quhet Madeleine Albright, një Mëmë Zonjë e shqiptarëve e cila në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku shqiptarët flasin, qajnë e qeshin në shqip, sot e mot dhe motmot, do të ketë monumentin e saj të mirënjohjes”, theksoi Spiropali.
“Faleminderit që ishe me ne, si zëri, mendja dhe shpirti i vendit tënd të madh në ato ditë të zymta, kur çmimi i luftës ishte gjaku dhe kur gjaku ishte çmimi që kombi ynë i vogël po paguante për projektin madhështor të lirisë dhe begatisë”, tha Spiropali.
Xhaçka: Mirënjohëse Albright për rolin e saj në përfundimin e Luftës së Kosovës
Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.
“Trishtim për ndarjen nga jeta të Sekretares Albright. Një grua e mahnitshme dhe një frymëzim për miliona vajza dhe gra në mbarë botën”, u shpreh ministrja Xhaçka.
“Përgjithmonë mirënjohëse për rolin e saj në përfundimin e Luftës së Kosovës dhe ndalimin e makinës së luftës kriminale të Millosheviç. U prehshi në paqe zonja Sekretare!”, theksoi Xhaçka.
Alibeaj: Albright, mike e çmuar e kombit tonë
Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj shprehu sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright
“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, mike e çmuar e kombit tonë. Shqiptarët do të jenë përherë mirënjohës për udhëheqësinë e saj në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe për mbështetjen që i dha vendit tonë për anëtarësimin në NATO. Ngushëllime familjes dhe popullit amerikan. Pusho në paqe Madeleine Albright”, u shpreh Alibeaj.
Balla: Albright, rol të pazëvendësueshëm në denoncimin e genocidit serb dhe Luftës në Kosovë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.
“U prehsh në paqe Zonja Sekretare e Shtetit, Madeleine Albright! Ne shqiptarët kurrë nuk do ta harrojmë rolin tënd të pazëvendësueshëm në denoncimin e genocidit serb dhe Luftës në Kosovë”, theksoi Balla.
/a.a/r.e/














