TIRANË, 16 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot në Durrës lidhur me situatën e rritjes së çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, ndërsa shtoi se “duhet të jemi të përgatitur edhe për skenarin se gjërat mund të shkojnë më keq”.
Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit të vogël në Durrës, të cilët i informoi për masat që po ndërmerr qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve.
Kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre që kërkojnë rritje rroge për të përballuar rritjen e çmimeve.
“Në cilën krizë rriten rrogat? Lufta nuk vjen për të rritur rroga dhe për të sjellë të mira, por vjen vetëm për të sjellë të keqe, dhimbje koke në rastin më të mirë dhe dhimbje plagësh në rastin tjetër. Ne duhet të jemi të përgatitur edhe për skenarin që gjërat mund të shkojnë më keq. Duhet ta bëjmë këtë me shpresën se gjërat do shkojmë më mirë, por nuk varet nga ne”, tha Rama.
Kryeministri tha se, “shpresa e atyre që u thonë njerëzve: ‘futi lekët te piramida’, nuk është shpresë, është tmerr”.
“Rritja e çmimeve të naftës dhe ushqimeve po ndodh në gjithë botën, jo vetëm në Europë dhe përputhet ekzaktësisht me çmendurinë e asaj lufte që ka filluar në Ukrainë. Ne po përballemi me një presion, një barrë ekstra të jashtëzakonshme për shkak të asaj që na ndodh jashtë vullnetit tonë. Këtë situatë e ka sjellë lufta dhe duhet të jesh krejtësisht i papërgjegjshëm që ta mohosh”, tha Rama.
/r.e/












