Ballina Flash

Bashkia Tiranë, aktivitete festive për Ditën e Verës

TIRANË, 14 mars/ATSH/ Dita e Verës do të jetë një festë e vërtetë në kryeqytet.

Sikurse e ka kthyer tashmë në një traditë të bukur, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për të gjithë grupmoshat duke filluar që nga fëmijët dhe deri tek të rriturit.

Në orën 10:00-13:00 në skenën te Kryeministria do të ngjiten artistë të të gjithë zhanreve muzikorë, duke filluar nga Ansambli Popullor, Filarmonia, artistë dhe grupe të rinj, por edhe artistë të afirmuar. Skena do të elektrizohet nga Urban Band dhe do të kulmojë me këngëtaren e njohur Juliana Pasha. Ndërkaq për të apasionuarit e muzikës klasike, Filarmonia e Tiranës do të performojë tek pedonalja “Murat Toptani”.

Makinat RETRO dhe lojërat sportive

Sheshi “Skënderbej” do të kthehet në një ambient argëtues ku do të ketë një ekspozitë të madhe nga koleksioni i makinave RETRO së bashku me automjete dhe moto të tjera epoke. Të apasionuarit pas automjeteve do të kenë mundësi të shikojnë nga afër koleksionin më të madh të makinave historike, makinave sportive dhe motorëve në një ambient festiv dhe me muzikë të zgjedhur.

Ndërkohë, nga 10:00-14:00, përpara bashkisë do të improvizohet një hapësirë e dedikuar për më të vegjlit. Në këtë hapësirë fëmijët me shembuj praktikë do të kenë mundësi të bëhen pjesë e “Akademisë të Sigurisë Rrugore” duke pasur mundësi të praktikohen, orientohen, mësohen me shenjat dhe sinjalistikën rrugore në funksion të kujdesit dhe sigurisë.

Kurse hapësira në sheshin përballë Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, do t’i dedikohet patinimit, skateboard-it edhe Bmx-it..

Ndërsa parku “Rinia” do të pushtohet nga nxënësit e 4 shkollave 9-vjeçare. Nxënës të shkollave “F. S. Noli”,  “Hasan Tahsim”, “Servete Maçi” dhe “Shkolla e Kuqe” do të garojnë në tërheqje litari, loja me karrige, loja e kangurit me thasë, mundje dore, kaluçi, gara stafetë etj.

Ndërkaq, bulevardi para Galerisë Kombëtare do të shndërrohet totalisht, ku do të improvizohen fusha tenisi, basketbolli, pingpongu, taekwondo, teqball-i dhe minikalçetoje. Gjithashtu i gjithë parku do të kthehet në një hapësirë për më të vegjlit. Animatorë, Cirku, Teatri i Kukullave do të performojnë shfaqet e tyre. Fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqje të ndryshme, face painting dhe shumë aktivitete të tjera.

Biznesi dhe panairi

Një vëmendje e veçantë në 14 mars i është kushtuar dhe biznesit dhe panairit të produkteve të zonës. Kështu, hapësira në bulevardin para Piramidës në të dy anët e saj do të ketë të pozicionuara stenda biznesi dhe stenda për startup, që do të shërbejnë për promovimin e produkteve. Pjesëmarrësit do te kenë mundësi të konsumojnë produkte dhe të kalojnë momente relaksi me të dashurit e tyre. Të gjithë të apasionuarit e librave do të kenë mundësi të gjejnë librat dhe autorët e preferuar në një panair libri.

Ndërkaq, përballë ish-hotel “Dajtit”, nga ora 08:00-16:00 do të organizohet Panairi i Njësive Administrative.

Ky panair përfshin disa lloj prodhuesish të vegjël nga qyteti dhe rrethinat e Tiranës, si artizanë dhe prodhues vendorë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Ish-presidenti Obama rezulton pozitiv
Artikulli tjetër“Dita e Verës”, festa tradicionale që nga lashtësia