Ballina Aktualitet

Spahia: Do jem kryebashkiak i të gjithë qytetarëve të Shkodrës

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia deklaroi sot në një prononcim për mediet pas fitores së zgjedhjeve për kryetar bashkie në Shkodër se, nga sot në Shkodër fillon një rrugëtim i ri dhe ndryshim i madh në të gjithë Shqipërinë.

“Në këtë ditë historike, ditë shprese për të gjithë demokracinë shqiptare, për opozitarizmin e vërtetë shqiptar dhe jo vetëm shkodran, dua ta nis me një falënderim nga zemra për të gjithë demokratët, për të gjithë qytetarët e bashkisë së Shkodrës, për vlerësimin që më dhanë nëpërmjet votës së tyre”, tha Spahia.

“Falënderoj dhe aleatët tanë për luajalitetin me të cilin bëmë këtë rrugëtim së bashku, aleatët e “Shtëpisë së Lirisë””, u shpreh ai.

Spahia falënderoi edhe qytetarët e Shkodrës, të cilëve u garantoi se, “nga nesër do të jem kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës”.

“Një thirrje kam dhe për ata që nuk zgjodhën për të më votuar mua dhe veçanërisht për ata demokratë që ndoshta për pak momente humbën rrugën: Dera jonë, dera e shumicës, do të jetë gjithmonë e hapur, për të gjithë demokratët e vërtetë, shkodranë dhe jo vetëm. Nga sot në Shkodër ju siguroj që fillon një rrugëtim i ri, ndryshim i madh në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Spahia.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLirimi i brezit frekuencor 700 MHz, Krasniqi takim në Autoritetin Rregullator kroat
Artikulli tjetërGJERMANI – Ministrja Zhvillimit: Miliona njerëz në Afrikë drejt urisë pas pushtimit rus të Ukrainës