Ballina Ekonomi

Monedhat e huaja vijojnë të forcohen ndaj lekut

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Monedha e përbashkët evropiane, euro, shënoi një tjetër rritje të fortë në tregun e brendshëm gjatë ditës së sotme, duke arritur nivelin më të lartë në gati një vit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.58 lekë, ose 1.51 lekë më shumë se të premten. Në vetëm 7 ditë, euroja është mbiçmuar me 3.15 lekë, rritja më e fortë që nga periudha kur sapo kishte filluar pandemia në mars 2020.

Ndërkohë edhe dollari amerikan u forcua karshi lekut me 6.54 lekë në 7 ditë. Dollari amerikan këmbehet sot me 115.17 lekë ose 3.36 lekë më shumë se të premten.

Rritja e fortë e euros dhe dollarit ditët e fundit, sipas aktorëve të tregut lidhet me krizën e çmimeve që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.

Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka shtrenjtuar importet, ndërsa frika se ato mund të rriten edhe më shumë në të ardhmen po shtyn drejt blerjes së sasive më të mëdha të mallrave.

Paundi britanik këmbehet sot me 151.33 lekë, ose 2.54 pikë më tepër, ndërsa franga zvicerane këmbehet me 124.44 lekë duke shënuar rritje me 2.70 lekë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEfektet e agresionit rus në ekonomi, Sejko takon përfaqësuesit e FMN-së
Artikulli tjetërBasha: Zgjedhjet e 6 marsit, anomali