TIRANË, 7 mars/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj dha mbrëmjen e sotme dorëheqjen nga funksionet politike brenda PD-së.
Lajmin e bëri të ditur vetë Gjekmarkaj i cili përmes një postimi në rrjetet sociale bëri thirrje që Sali Berisha dhe Lulzim Basha të bëjnë një hap pas.
Dorëheqja vjen pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme lokale, ku PD jo vetëm nuk mori asnjë bashki, por doli e dyta në krahasim me “Shtëpinë e Lirisë”, koalicionin e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha.
“Ne po rrezikojmë të shuhemi, unë e ndiej dhe marr përgjegjësi. Kam ndier mërzitjen njerëzve para fytyrës sime, ua kam borxh atyre marrjen e përgjegjësive. Duhet të ngrihet një komision që të dërgojë PD në zgjedhje për të mirën e demokratëve.
Të bëhet garë, gara nxjerr lider. Rroftë PD”, u shpreh Gjekmarkaj.
Paraditen e sotme, Gjekmarkaj ishte shprehur se në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.
“Përtej çdo rrethane kunder nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm!”, u shpreh ai, duke theksuar se ishte i gatshëm të mbante përgjegjësinë e tij.
/j.p/























