Ballina Ekonomi

Braho: 1 milion doza vaksine “Pfizer” brenda këtij viti

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot aktin normativ për disa ndryshime në marrëveshjen me kompaninë “Pfizer”, përmes së cilave mundësohet blerja e dozave të vaksinës për periudhën 2022 – 2023.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Vjollca Braho tha se në bazë të marrëveshjes me “Pfizer” Shqipëria do të sigurojë 1 milion doza vaksine brenda këtij viti.

Braho theksoi se nëse do të jetë e nevojshme për më tepër doza do të bëhet porosi shtesë detyruese deri në 500 mijë doza.

“Risi në marrëveshje është përcaktimi i vaksinës pediatrike që nënkupton formë të veçantë të vaksinimit. Kjo përfshihet në furnizimin për vitin 2022, pas vendimit të Komitetit Teknik për vaksinimin për fëmijët nën 12 vjeç”, tha Braho.

Më tej, ajo shtoi se domosdoshmëria për të vaksinuar popullatën target mbetet emergjencë.

“Ka përmirësim në 2 javët e fundit, vihet re ulje e rasteve pozitive dhe njëkohësisht nivel më të ulët të hospitalizimeve”, deklaroi Braho.

Ndryshimet parashikojnë edhe modalitetet që zbatohen në rast se Shqipëria dëshiron të dhurojë doza kundrejt vendeve të treta.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjedhjet e pjesshme vendore, vijon numërimi në Durrës e Shkodër
Artikulli tjetërAIDSSH publikon dosjen e mësuesit Genc Leka