Ballina Aktualitet

Përfundon shpërndarja e plotë e bazës materiale për zgjedhjet e 6 Marsit

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpërndarjen e plotë të bazës materiale për procesin e zgjedhjeve të pjesshme në 6 Bashki të vendit të datës 6 Mars 2022.

Celibashi njofton se, “ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore në 942 Qendrat e Votimit të Bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, ndërsa në bashkinë Vorë janë shpërndarë pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik”.

Celibashi ka falenderuar të gjithë personat e përfshirë në këtë proces dhe veçanërisht komisionerët e Njësive Administrative Shalë, Shoshë dhe Pult, të cilët pavarësisht kushteve tejet të rënda atmosferike, e përmbushën me sukses detyrën e tyre.

Ai gjithashtu ka falenderuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura për ndihmesën në shpërndarje me mjetet e tyre, si edhe Policinë e Shtetit për shoqërimin e bazës materiale deri në destinacionin fundor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – SHBA: Qytetarët amerikanë të largohen menjëherë nga Rusia
Artikulli tjetërReshje dëbore në Rajonin Verior, ARRSH: Qarkullimi kryhet pa probleme