Ballina Aktualitet

Celibashi: Çdo tentativë për shitblerje vote do ketë pasoja

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, “çdokush që do të tentojë të angazhohet në një proces të shitblerjes së votës apo dhe të ndikimit në një mënyrë tjetër mbi vullnetin e qytetarëve do të ketë pasoja”.

Në një konferencë për mediet, dy ditë nga zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Celibashi tha se, “ka kaluar akti normativ, i cili shtyn vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit”.

“Kështu që edhe për këto zgjedhje, ata qytetarë të cilët kanë pasur një dokument identifikimi të skaduar, apo ju skadonte ky dokument identifikimi në datën 6 mars, qeveria nëpërmjet aktit normativ ka vendosur shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre dokumenteve. Kështu që do të jenë të lejuar të votojnë dhe në këtë pikëpamje, të paktën për këtë shkak nuk do të ketë ndonjë votues që do të pengohet për të votuar në datën 6 mars”, tha Celibashi.

“Jemi në fazën përmbyllëse të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. Kemi shpërndarë bazën materiale thuajse në të gjitha KZAZ-të, me përjashtim të një KZAZ-je, KZAZ-së nr. 2 në Shkodër, shpërndarjen e bazës materiale të së cilës e bëjmë sot”, theksoi Celibashi.

“Jemi në procesin e finalizimit nga ana e KZAZ-ve të emërimit të anëtarëve të komisioneve të QV-ve. Duhet të themi që kemi probleme në këtë proces, por duke sjellë në kujtesë edhe praktikën e zgjedhjeve të shkuara besojmë që sot pasdite ky proces do të finalizohet”, tha ai.

“Edhe në këto zgjedhje do të zhvillohet identifikimi elektronik i votuesve dhe në zonën zgjedhore të bashkisë Vorë do të zhvillohet votimi elektronik”, tha Celibashi.

Në lidhje me shpërndarjen e bazës materiale, Celibashi theksoi se, “nga raportimet që kemi nga terreni, nëpërmjet, qoftë KZAZ-ve, por edhe qoftë nëpërmjet inspektorëve tanë, duket se kemi probleme dhe mund të kemi probleme në shpërndarjen e bazës materiale në disa zona të thella të Shkodrës, nga disa njësi administrative të Shkodrës”.

“Kemi pasur në fakt, një kërkesë nga ana e kryetares në detyrë të bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, për të bërë transferimin e vendndodhjes të rreth 12 QV-ve nga këto zona ku ka vështirësi të aksesit të tyre, në zona në rrethinat e Shkodrës. Kjo kërkesë edhe pse ka qenë e arsyeshme dhe e logjikshme, por sa kohë që nuk gjeti mbështetje në ligj ne nuk e kemi pranuar. Të paktën, unë si Komisioner Shtetëror. Është bërë një ankim dhe është KAS-i që do ta pastaj këtë vendimmarrje, por vlerësuam, që edhe pse ishte e arsyeshme si kërkesë pasi janë zona të thella dhe disa prej tyre të mbuluara nga bora, ne nuk mundet të miratonim zhvendosjen e tyre, gati 50 km larg, nga vendndodhja aktuale, në vendndodhjen e re. Ky është problem i ligjit që ndoshta duhet ta adresojë reforma e pritshme zgjedhore. Por gjithsesi problematika ngelet, të paktën për 2 zona të thella të bashkisë së Shkodrës, Shala dhe Pulti”, u shpreh Celibashi.

Në lidhje me procesin e votimit elektronik në Vorë, Celibashi tha se, “sot në orën 14:00 KQZ do të zhvillojë dhe procesin e testimit operacional të këtyre pajisjeve, ashtu sikurse bëmë për pajisjen elektronike të identifikimit”.

Celibashi rikonfirmoi që, “jo vetëm bazuar në eksperiencën e zgjedhjeve të tilla në KZAZ nr.40 këtu në Tiranë, por në tërësi ai është një proces, i cili garanton në mënyrë të plotë 100% sigurinë e votës. Nuk ka asnjë lloj shkaku apo preteksti për dikë që të dyshoj, apo ta vërë në diskutim sigurinë nga çdo pikëpamje të këtij procesi. Ndaj i ftoj i qytetarët e Vorës që të marrin pjesë në votime dhe të paktën për këtë shkak të mos kenë asnjë lloj droje”.

Komisioneri u shpreh se, “KQZ do të ketë vëmendje të shtuar në këto zgjedhje ndaj disa fenomeneve negative, të klasifikuara edhe si kriminale në zgjedhjet e shkuara. Çdokush që do të tentojë të angazhohet në një proces të shitblerjes së votës apo dhe të ndikimit në një mënyrë tjetër mbi vullnetin e qytetarëve do të ketë pasoja”.

“Nuk më vjen mirë në fakt ta sjell në vëmendje, por tashmë një pjesë jo e vogël e atyre rasteve dhe atyre personave, të cilët KQZ i ka evidentuar si në shkelje të Kodit Zgjedhor, janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë”, nënvizoi Celibashi.

“Nëse dikush e ka guximin të ketë ballafaqim me organet e drejtësisë dhe të angazhohet në veprimtari të paligjshme që të cenojë integritetin e procesit zgjedhor, mund ta bëjë”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Celibashi ftoi “ata qytetarë, media, OJQ apo edhe përfaqësues të partive politike, që në çdo rast që do të evidentojnë shkelje, t’i denoncojnë në organet e ndjekjes penale”, tha Celibashi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFISHË TEKNIKE – Centrali bërthamor i Zaporizhias
Artikulli tjetërAgalliu: Statusi i investitorit strategjik për kompaninë e ish-deputetit