Ballina Flash

Broja protagonist absolut në Angli, Muçi shënon në Poloni

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Sulmuesi i talentuar shqiptar, Armando Broja, vazhdon të japë paraqitje të shkëlqyera në fushën e lojës me klubin e “Southampton” në Angli, duke qenë protagonist absolut në Kupën FA.

20-vjeçari ishte njeriu i ndeshjes në suksesin 3-1 ndaj “Uest Hemit”, që kualifikoi “Saints” në raundin tjetër të kompeticionit.

Sulmuesi i Kombëtares u fut në pjesën e dytë në fushë dhe arriti të fitojë një penallti në minutën e 65-të, që u akordua nga gjyqtari pas konsultimit me sistemin VAR. Penalltia u transformua në gol nga Uard-Prous, i cili i dha avantazhin 2-1 “Southamptonit”.

Në minutën e 95-të, Broja realizoi një gol fantastik, duke vulosur fitoren 3-1 dhe kualifikimin për në raundin tjetër të Kupës FA.

Sajti i specializuar i statistikave “Sofa Score” e ka vlerësuar sulmuesin me notën 7.6, që do të thotë se ai ishte lojtari më i mirë i ndeshjes për ekipin e tij. Ky ishte goli i tetë sezonal për Brojën me klubin.

Edhe sulmuesi tjetër kuqezi, Ernest Muçi vazhdon të dhurojë paraqitje të mira në Poloni. Ai ishte lojtar kyç në suksesin e “Legia” e Varshavës 2-0 ndaj “Lecznës” në Kupën e Polonisë.

Sulmuesi hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 57-të dhe realizoi golin e dytë të sfidës në minutën e 86-të, duke vulosur kualifikimin për në gjysmëfinalen e Kupës së Polonisë. Ky ishte goli i gjashtë sezonal i Ernest Muçit.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShkodër, bashkia marrëveshje me Caritas për punësim të personave “PAK”
Artikulli tjetërManastirliu: Ulen rastet e shtrimeve COVID në spital tek fëmijët