BRUKSEL, 1 mars /ATSH-ANSA/ – E dinim se do të kishte një çmim për t’u paguar, por tragjedia që po përjetojmë është e madhe, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duke folur në një lidhje direkte video me seancën plenare të Parlamentit të BE-së.
”Më vjen mirë të shoh këtë unitet të BE-së, por nuk e dija se ky do të ishte çmimi për t’u paguar. Me mijëra njerëz janë vrarë, jemi në një luftë të egër”, shtoi Zelensky.
”Jemi nën bombardime. Ky ka qenë një mëngjes tragjik. Ne po japim jetën për lirinë. Putin flet për operacionet kundër infrastrukturës ushtarake, por ai dje vrau 16 fëmijë me raketat e tij”, shtoi i pikëlluar Zelensky.
”Do të doja të dëgjoj nga ju që zgjedhja e Ukrainës drejt Evropës duhet të inkurajohet. Ne duam të jemi anëtarë të barabartë të BE-së. Ne u kërkuar evropianëve të dëshmojnë se janë me Ukrainën”, theksoi presidenti.
”Nuk mund të them as mirëmëngjes dhe as mirëmbrëma, sepse çdo ditë për dikë mund të jetë dita e fundit. Unë flas në emër të qytetarëve ukrainas që mbrojnë lirinë me një çmim të lartë. Drita do të fitojë kundër errësirës, lavdi Ukrainës”, përfundoi Zelensky, i cili mori duartrokitje të gjata nga të gjithë deputetët e Parlamentit Evropian./ /os/























