TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Paketa e investimeve e Komisionit Evropian prej 3.2 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, do të financojë 3 projekte të rëndësishme në Shqipëri.
Përmes një njoftim për shtyp, delegacioni i BE-së në Tranë shprehet se “në këto kohë të vështira, BE është e përkushtuar më shumë se kurrë të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe rajonin”.
“Plani Ekonomik dhe i Investimeve (EIP) me vlerë 3.2 miliardë euro po vjen në jetë. Në Shqipëri do të financohen 3 projekte të rëndësishme: stacioni me panele diellorë lundrues në Vaun e Dejës; bypass-i i Tiranës, që lidh autostradën Tiranë – Durrës me atë Tiranë – Elbasan dhe linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit”, thuhet në njoftim.
Në total, janë 21 projekte kryesore në fushën e transportit, digjitale, klimës, energjisë dhe infrastrukturës që do të financohen nga EIP në rajon.
Projektet kryesore do të lehtësojnë transportin e mallrave dhe njerëzve dhe do të sigurojnë energji për familjet shqiptare.
“Evropa është këtu më shumë se kurrë në këto kohë të vështira për të aplikuar standardet evropiane të jetesës për Shqipërinë. E ardhmja e Shqipërisë është e vendosur në BE”, tha ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri njëkohësisht edhe ministër i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj i shprehu mirënjohjen Bashkimit Europian për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë.
Ai konfirmoi se projektet që financohen janë bajpasi i Tiranës që lidh autostradat Tiranë-Durrës dhe Tiranë- Elbasan, linja hekurudhore Vorë- Hani i Hotit dhe impianti i lundrueshëm fotovoltaik mbi liqenin artificial të Vaut të Dejës.
/m.m/r.e/





















