Ballina Ekonomi

Prioritetet e Guvernatorit të BSH-së për mandatin e dytë

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i cili kërkon një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë, renditi sot gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave 4 prioritetet e tij.

“Prioriteti i parë ka të bëjë me politikën monetare dhe stabilitetin e çmimeve. Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë jam kujdesur e do të kujdesem që sasia dhe kostoja e parasë në ekonomi të mundësojnë stabilitetin e çmimeve, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies. Në kontekstin afatshkurtër, sfida kryesore do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore. Në gjykimin tim, respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i panegociueshëm. Përmbushja me sukses e këtij mandati do të kërkojë hartimin e një politike monetare të kujdesshme dhe largpamëse. Në të njëjtën kohë, paralelisht me objektivin primar të saj, kjo politikë duhet të faktorizojë nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe të harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal, në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit. Në veçanti, bindja ime është se harmonizimi i kujdesshëm i politikave monetare dhe fiskale prodhon rezultatet më të mira ekonomike, si në terma të rritjes ashtu dhe të stabilitetit. Në një kontekst më afatgjatë, kuadri operacional i politikës monetare duhet të plotësohet me instrumente kontingjente, si ato të adoptuara nga bankat e mëdha qendrore. Ky objektiv ka si parakusht përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare. Megjithatë, horizonti i ardhshëm shtatëvjeçar ofron një dimension kohor të mjaftueshëm për përmbushjen e tij”, tha Sejko.

Prioriteti i dytë, tha Sejko, ka të bëjë me mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit.

“Në këtë prizëm, objektivi i punës sime do të jetë krijimi i të gjitha premisave për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë. Në gjykimin tim, oferta e kredisë bankare nuk duhet të jetë pengesë për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit, por procesi i kreditimit duhet të respektojë gjithnjë parametrat e nevojshëm të kujdesit, për ruajtjen e shëndetit të bankave dhe të vlerës së kursimeve të depozituara në to. Adoptimi i plotë i të gjithë praktikave dhe standardeve relevante të Bazel II dhe Bazel III. Konvergimi i mëtejshëm më standardet evropiane dhe marrja e certifikimeve të mëtejshme në fushën e mbikëqyrjes nga Banka Qendrore Evropiane. Këto certifikime do të ulin kostot dhe do të rrisin eficiencën e operimit të sektorit tonë banker. Riskanimi i plotë i sistemit tonë financiar, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe FMN-në Financial Sector Assessment Program) – për të mundësuar identifikimin dhe korrektimin në kohë të dobësive të tij”, tha Sejko.

Sipas tij, vëmendje e mëtejshme duhet ushtruar në aktivitetin e institucioneve financiare jobanka dhe konvergimin e standardeve dhe praktikave të tyre rregullatore me ato të sektorit bankar. Kjo do të promovojë eficiencën e sistemit financiar dhe konkurrencën e ndershme brenda dhe ndërmjet segmenteve të ndryshme të tij, vënien në eficiencë të plotë të arkitekturës mbikëqyrëse të sistemit tonë financiar, duke filluar nga Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar dhe duke vijuar me praktikat e shkëmbimit të informacionit dhe të bashkëpunimit midis institucioneve të ndryshme rregullatore të tij.

Sejko vuri theksin edhe në vijimin e punës për reduktimin e përdorimit të monedhës së huaj në vend, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve publikë dhe privatë për rreziqet që ajo sjell, si dhe duke synuar forcimin e përgjigjes së institucioneve shqiptare.

Guvernatori Sejko tha se prioriteti i tretë do të jetë nxitja e formalizimit dhe rritja e edukimit dhe e përfshirjes financiare. Sipas tij, shkalla relativisht e lartë e informalitetit në ekonominë shqiptare sjell pasoja serioze negative, nëpërmjet cënimit të konkurrencës, frenimit të produktivitetit, rritjes së pasigurisë në marrëdhëniet tregtare e financiare, si dhe reduktimit të të ardhurave publike.

“Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për rritjen e formalizimit të ekonomisë. Në gjykimin tim, ky proces duhet mbështetur nëpërmjet qasjes rregullatore ndaj aktiviteteve të paformalizuara, nëpërmjet plotësimit të infrastrukturës financiare e cila redukton kostot për aktivitet formale, si dhe nëpërmjet bashkërendimit të punës me nismat e sektorit publik. Në fushën e edukimit financiar, Banka e Shqipërisë duhet të luajë një rol kyç në hartimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare që promovojnë rritjen e kulturës financiare në vend. Kjo kulturë duhet parë si një element esencial për rritjen e mirëqenies afatgjatë të shoqërisë. Po ashtu, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Një pikënisje e këtij procesi është modernizimi i sistemit të pagesave dhe rritja e shkallës së përdorimit të pagesave elektronike, e më tej shfrytëzimi i kësaj porte për aksesin në shërbime financiare e shërbime pagesash që rrjedhimisht ndikojnë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Duke qenë të ndërgjegjshëm për rolin dhe rëndësinë e reformave strukturore, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të kontribuojë – me këshilla dhe vëmendje publike, në shtyrjen përpara të tyre. Në gjykimin tim, këto reforma duhet të nxisin produktivitetin, të zhbllokojnë potencialet e rritjes, si dhe të krijojnë premisa për një shpërndarje sa më të drejtë të fruteve të saj në shoqëri”, deklaroi Sejko.

Si prioritet të katërt, Sejko renditi punën për mbështetjen e integrimit evropian.

“Prioritet i katërt do të jetë mbështetja e integrimit evropian. Ndonëse hapja dhe shpejtësia e këtij procesi do të varet në një masë të madhe nga partnerët tanë evropianë, detyra jonë si autoritete shqiptare është të procedojmë pa asnjë vonesë dhe hezitim në të. Në këtë kontekst, mendoj se Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të mbetet në rolin e paraprijësit të procesit, duke ofruar shembullin e mirë dhe eksperiencën e saj dhe me autoritetet e tjera publike”, deklaroi ai.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUKRAINË – Zelensky nënshkruan dekretin për rekrutimin e rezervistëve
Artikulli tjetërKIEV – Ukraina shpall gjendjen e jashtëzakonshme 30-ditore