BERLIN, 22 shkurt /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane ndodhet nën presionin më të madh se kurrë ndonjëherë për të prishur projektin e gazsjellësit ”Nord Stream 2” me Rusinë, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat të hynin në Ukrainës Lindore.
Kancelari gjerman Olaf Scholz është vënë nën presion të madh nga aleatët, përfshirë SHBA, për të premtuar se gazsjellësi nuk do të vihej në punë në rast të një pushtimi rus të Ukrainës.
Scholz kishte refuzuar të thoshte të njëjtën gjë, qoftë gjatë një vizite në Uashington për t’u takuar me presidentin Joe Biden, qoftë gjatë një vizite të fundit në Moskë.
Vetë Biden premtoi në kohën e vizitës së Scholz-it se do t’i jepte fund gazsjellësit “Nord Stream 2” nëse Rusia pushtonte Ukrainën.
“Unë kurrë nuk e kam kuptuar projektin, është një projekt që rrit varësinë tonë nga gazi rus”, theksoi ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir.
“Shpresoj se partnerët tanë të koalicionit që i shohin gjërat ndryshe, do të shohin më në fund se tani është koha për të ndaluar projektin”, shtoi ai.
Politikani i gjelbër tha se Gjermania ”duhet t’i drejtohet më fort energjisë së rinovueshme”.
”Nord Stream 2” do të lidhë Evropën Perëndimore me rezervat e gazit rus nëpërmjet një lidhjeje në bregun gjerman të Balltikut.
Projekti ka përfunduar, por certifikimi rregullator është ende në pritje./ /os/












