Ballina Aktualitet

Berisha takim me ish-të përndjekurit politikë në Shkodër

TIRANË, 22 shkurt/ATSH – I. Vata/ Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati për kryetar bashkie të Shkodrës, Bardh Spahia, zhvilluan sot një takim me ish-të përndjekurit politikë në këtë qytet.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se në Shkodër dhe në rrethinat e saj, komunizmi u prit me një qëndresë të jashtëzakonshme.

“Në vitin ’45, një vrasës serial siç ishte Mehmet Shehu, i cilësuar i tillë nga të gjithë ata të huaj që e kishin njohur në Shtab gjatë luftës, i drejton një telegram Enver Hoxhës, ku i thotë se në kuptimin ushtarak, Shkodrën e pushtuam. Pra, ai pranon, pranon haptazi, pranon vetë se Shkodra u pushtua nga hordhitë partizane dhe u ndërmorën pastaj këtu torturat dhe barbaritë më të mëdha. Ju i dini më mirë se unë burgjet e shumta që u krijuan, shtëpitë private që u improvizuan në burgje, bodrumet që u përdorën për torturat më çnjerëzore. Por të gjitha këto, përsëri, në dekada, asnjë qytet tjetër në EVropë nuk ka sakrifikuar dhe nuk ka qëndruar më shumë sesa Shkodra dhe shkodranët. E gjithë kjo qëndresë, e gjithë kjo sakrificë në qoftë se e shohim në rrafshin filozofik, është qëndresa e njeriut për dinjitetin e tij, qëndresa e njeriut për të vërtetën, për vlerat dhe kjo është një trashëgimi e jashtëzakonshme, e shkëlqyer që ata qindra-mijëra burra dhe gra, të cilët ranë për t’u bërë të pavdekshëm apo vuajtën dhe njohën burgjet, torturat, kampet e diktaturës, lanë për brezat që vijnë mesazhin e madh”, tha ai.

“Në fund të fundit, historinë e kombeve krahas pushtimeve, që pa diskutim ato kanë ndërhyrë, por e kanë përcaktuar edhe gabimet që kanë bërë në kuptimin e raportit të tyre më të vërtetën. Në qoftë se shqiptarët do të kishin pasur një raport me të vërtetën që kanë shkodranët, e vërteta është se historia e tyre do të kishte qenë krejt tjetër: do të kishte qenë histori lirie dhe jo histori e diktaturës më staliniste të Evropës”, u shpreh Berisha.

“Pas përmbysjet së kultit të Stalinit në Bashkimin Sovjetik, popujt e tjerë patën fatin të çlirohen nga kultet. Jo nga regjimet, por nga kultet staliniste, sepse Hrushovi, siç përmbysi kultin e Stalinit, përmbysi pastaj stalinistët në të gjitha vendet përveçse në Shqipëri, ku Enver Hoxha ruajti kultin e Stalinit për të mbrojtur kultin e Tij. Dhe jo vetëm të Stalinit, por edhe të Leninit.  Një poet shumë i njohur rus ka një poemë në atë kohë për Stalinin, ku thotë: “Nga varri ai ka ruajtur, ka një telefon, në të cilin flet vetëm me Enver Hoxhën!” Një poet i madh në fakt i atij kombi, por në këtë poemë kushtuar diktatorit, në të cilën sigurisht ai e demaskon siç ishte, por i le dhe një telefon te koka, i vdekur, për të folur me Enver Hoxhën dhe ky ishte fati i shqiptarëve. Sot e ka thënë dikur shumë drejt Ronald Regan që liria nuk do më shumë se një gjeneratë për t’u zhdukur”, tha ai.

Në vijim, Berisha shtoi se demokracia nuk do më shumë se një gjeneratë për t’u zhdukur dhe në fakt kemi ardhur në një situatë shumë të vështirë, të themi atë që është.

“Kemi ardhur në një situatë ku një regjim i bazuar mbi krimin, drogën dhe vjedhjen por edhe trashëgiminë, edhe trashëgiminë e etërve të tij, se nuk është e rastit që kur Edi Rama u kthye në pushtet, erdhi në pushtet, dilte para shqiptarëve me hekura në dorë, imitonte ish-Kryeministrin e diktaturës (edhe njëherë e them, një vrasës serial siç ishte Mehmet Shehu),  e bënte këtë me qëllimin e vetëm që të ngjallte frikë tek qytetarët. Dhe në fakt nuk mund të thuhet se ai nuk pati sukses në këtë përpjekje.  Në mënyra më të ndryshme ky bëri përpjekje për një lloj rehabilitimi të maskuar të diktatorit. Sot janë dy muze për diktatorin Enver Hoxha: njeri në Gjirokastër, në të cili ju garantoj unë se i bëhen nderime atij për dramën më të madhe; tjetri është një bunker në një ndërtesë bunker. Por ideja e vendosjes, e shpenzimeve, e ringritjes së muzeve për një njeri që u shkaktoi shqiptarëve vuajtjet më të mëdha në historinë e tyre… asnjë pushtues në histori nuk ka vendosur një sistem skllavërues siç ishte sistemi i diktatorit Enver Hoxha”, vijoi ai.

Berisha tha se janë dekoruar xhelatë: “Para një muaji, njeri prej xhelatëve të diktaturës, një Kaçi Kaçi, ka qenë 15 vite drejtor i policisë së asaj kohe në vitet më të zeza të asaj kohe, në vitet ’70, nderohet me një mesazh eulegjik, sigurisht me porosinë e tij”.

Berisha ftoi të përndjekurit politikë të jenë ADN e Partisë Demokratike.

“Ndaj dhe ju ftoj ju të gjithë të përndjekurit, të cilët jeni në të vërtetë jeni ADN-ja e Partisë Demokratike. Pse ju jeni ADN-ja e Partisë Demokratike?! Sepse çfarë është në fund të fundit, pse u themelua kjo parti?!Kjo parti u themelua për liritë dhe të drejtat njerëzore për të cilat ju keni sakrificat më të pakufishme.Kjo parti u themelua për t’i dalë zot, interesit kombëtar, për të cilat ju paraardhësit tuaj, akne sakrifikuar gjithçka.Kjo parti u themelua për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. Ne kemi pasur paudhësitë tona në histori, por kemi pasur fatin e madh që rilindësit tanë, doktrinën e shqiptarësisë, e hartuan dhe e ndërtuan si doktrinë perëndimore dhe lanë kështu, orientimin e vokacionin tonë në drejtimin e duhur. Kështu që në këtë kontekst dhe në të gjitha kohërat e vështirësive të PD-së, ju u shndërruat në faktorin e mbijetesës së saj. Se nuk është se nuk ka njohur vështirësi. Sidomos në 1997-ën, përpjekjet ishin për ta zhdukur, për ta fshirë nga faqja e dheut Partinë Demokratike, por jua them, jam dëshmitar, ishin të përndjekurit politikë ata që qëndruan të pamposhtur dhe Partia Demokratike vazhdoi të mbetet opozitë e vërtetë.Ndaj dhe ju ftoj që në këtë revolucion dhe në këtë betejë, e cila ka absolutisht si qëllim, rivendosjen e lirisë dhe të vlerave të saj, rivendosjen e vlerave konservatore të shqiptarëve dhe konsolidimin e tyre, ta vazhdojmë, të jepni kontributin tuaj dhe jam i bindur se përsëri do të ngremë opozitën më të fuqishme që ka njohur vendi dhe do të fitojmë”, përfundoi ai.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLehtësohen kushtet e udhëtimit drejt Australisë
Artikulli tjetërCilat janë shkaqet e vështirësisë në frymëmarrje?