Ballina Flash

Rama pas takimit me Blinken: Diskutuam për bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit dhe ecurinë e reformave

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken diskutuan lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, për marrëdhëniet bilaterale me rajonin dhe ecurinë e reformave në Shqipëri.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Rama tha se “në tërësi besoj që prekëm të gjitha temat janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie përfshirë edhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s”.

Lidhur me rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Rama tha se “ky është një proces i njohur në traditën e Këshillit të Sigurimit ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo dy dosje të caktuara dhe SHBA-të na e propozuan ne këtë bashkim, ne e pranuam me kënaqësi dhe përgjegjësi dhe natyrisht kjo na jep mundësinë që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë”.

I pyetur nëse Shqipëria pritet të paraqesë një rezolutë për çështjen e Ukrainës, Kryeministri Rama tha se “kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, kjo është një çështje tanimë e të gjithë botës, e Kombeve të Bashkuara, e Këshillit të Sigurimit. Patjetër në këtë proces ne do të jemi krah për krah me SHBA-të. Sigurisht, që të jemi krejt realistë, vendimmarrja i takon SHBA-së”.

Pyetjes nëse ka qytetarë shqiptarë në Ukrainë dhe nëse ata janë larguar, Rama iu përgjigj se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ashtu siç e ka konsideruar të arsyeshme. Ne kemi disa qytetarë shqiptarë që janë pjesë e misionit të monitorimit të OSBE-së, të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë atje”.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Ndarja e re territoriale, domosdoshmëri urgjente
Artikulli tjetërBlinken: Mbresa të veçanta për mikpritjen ofruar refugjatëve afganë