TIRANË, 13 shkurt/ATSH/- Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me situatën në të cilën ndodhen bujqësia, blegtoria dhe agroturizmi, si pasojë e rritjes së çminimeve.
Meta shprehet se po shkatërrohen investimet kurajoze në bujqësi dhe krahinat e bukura të Shqipërisë po braktisen çdo ditë e më shumë nga fermerët, të cilët kërkojnë një jetë më të mira jashtë vendit.
“Të gjithë bashkë për të mbështetur bujqësinë, blegtorinë dhe agroturizmin. Të gjithë bashkë kundër shpopullimit dhe shkretimit të krahinave më të bukura dhe patriotike të Shqipërisë. Shkatërrimi i investimeve kurajoze në Bujqësi, çmontimi i serave dhe i stallave është mjerimi i vërtetë i saj, pasojë e braktisjes dhe e mos mbështetjes”, shprehet Meta.
Kur pritej zgjerimi i investimeve në bujqësi dhe shpresohej që filizat e projekteve kurajoze të të rinjve tanë emigrantë, të lulëzonin, Meta shton se po ndodh e kundërta.
“Po ç’bëhet gjithçka e arritur me shumë mund e sakrifica. Po detyrohen të rinjtë investitorë të guximshëm dhe patriotë të ndalojnë punën dhe të braktisin vendin. Ndalja e kësaj tatëpjete dhe shpëtimi i Bujqësisë është një apel dhe detyrë mbarëkombëtare”, deklaroi Meta.





















