Ballina Aktualitet

Kryemadhi: Procesi i Vetingut, element që duhet të vazhdojë

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi sot në Kuvend se, LSI mbështet një sistem drejtësie të pavarur, të pakapur dhe që i shërben qytetarëve dhe drejtësisë së vërtetë.

Ajo shtoi se, procesi i Vetingut është një element që duhet të vazhdojë.

“Reforma në Drejtësi që ka qenë një nga sfidat e këtij Parlamenti, i cili në datën 21-22 korrik të 2016, po të kenë gojë të flasin muret e kësaj salle do të tregojnë se ç’ka ndodhur për të arritur me konsensus të plotë një votim unanim me 140 vota për një reformë në drejtësi, që të gjithë qytetarët shqiptarë e prisnin me entuziazëm të madh”, tha Kryemadhi.

“Ne mbështesim një sistem drejtësie të pavarur, të pakapur dhe që i shërben qytetarëve dhe drejtësisë së vërtetë. E kemi votuar në 2016, me bindje të plotë për të pasur një unanimitet të plotë, sepse një reformë drejtësie pa një konsensus të plotë nuk do t’i shërbente drejtësisë, por përkundrazi do të ishte një element i cili që do të shërbente për kapjen e tij. Kemi votuar të gjitha ligjet e reformës në drejtësi, duke u angazhuar dhe për realizimin e kësaj reforme. Nëse e mbani mend, ligjet të cilat u votuan me 88 vota”, u shpreh ajo.

Kryemadhi theksoi se, “procesi i Vetingut është një element që duhet të vazhdojë. Shumë pak prej jush janë deputetë të Kuvendit të kaluar ku në shkurt të vitit 2018, grupi i LSI propozoi një paketë të tillë, për shtyrjen e afateve të komisionit të Vetingut apo edhe për zhbllokimin e kësaj situate në të cilën jemi ne sot. Por me arrogancë u hodh dhe nuk u pranua dhe nuk u vendos as në rendin e ditës. Dhe sot pas 3 viteve vijmë në propozimet që LSI i ka bërë këtij Kuvendi. Jo më kot dua ta theksoj sepse edhe në Komisionin e Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit prezenca e LSI edhe pse modeste, por jo në vota modeste ka marrë pjesë në mbledhje prej 4 muajsh ku ka bërë dhe një oponencë prej 13 faqesh”.

“Ajo që më bën për t’u çuditur që kolegët tanë demokratë nuk morën pjesë asnjë ditë dhe në asnjë mbledhje. Dhe më lë të dyshoj që ky votim pro për shtyrjen e afateve të këtij komisioni do t’i shërbejë drejtësisë apo do t’i shërbejë 17 majit. Si ndryshoi ky vendim brenda një nate, pa marrë pjesë asnjëherë në mbledhje. Si ndryshoi ky vendim brenda një ore pa marrë pjesë asnjëherë dhe pa shkruar asnjë rresht për oponencën e këtyre ndryshimeve? Si ndryshoi ky vendim i menjëhershëm pa qenë asnjë lloj konsultimi qoftë edhe me ekspertë?”, tha ajo.

“Imoraliteti politik që kemi ndërtuar në këtë sallë dashje apo pa dashje po detyron shqiptarët që të largohen nga Shqipëria. Nuk mund të presin shqiptarët të qëndrojnë dhe të punojnë në Shqipëri apo të presin nga reforma në drejtësi kur shikojnë sesi ne marrim vendime brenda 10 minutash. A do të kemi vendime si të 17 majit. Kur gdhihemi me ministra të opozitës me firmën e Edi Ramës. Apo do të kemi propozime që arrijnë në një konsensus të plotë me 140 vota. Do të votoja pro. Sepse mendoj që edhe pse grupet e komisionit të Vetingut nuk janë në standardin e duhur, kanë probleme me sjelljen e tyre, kanë problem me mesataren e tyre. Sepse që kur janë zgjedhur nuk kanë plotësuar kriteret. Përdorimin e standardeve të dyfishta dhe të trefishta me radhë. Mjafton të përmendim çfarë kanë shkruar partnerët në raportet e tyre dhe nuk ia vlen për ta zgjatur. Ne e kemi mekanizmin zhbllokues të këtij komisioni për të shkuar drejt KLP dhe KLGJ dhe për të pasur SPAK-un në rolin e komisionerit. Megjithatë, ne akoma nuk dimë nëse Vetingut i duhen 2 vjet, 3 vjet apo 5 vjet. I duhet më shumë staf apo i duhet më shumë buxhet. Pse u nis me vonesë puna? Pse nuk iu përgjigj qeveria për të hapur zyra, për të paguar stafin e tij. Akoma dhe sot ne nuk kemi bërë një analizë. Po me thënë të drejtën, ajo që dua të theksoj është që i bëj thirrje të gjithëve që kur të votojmë në Parlament të mos votojmë as nga frika e prokurorëve belgë, as nga frika e kolegëve apo ish-kolegëve tanë që janë në burg. Por të votojmë për një drejtësi që kanë nevojë qytetarët shqiptarë, që ne të mos vazhdojmë më të ngelemi peng as i së kaluarës sonë, as i të tashmes, që të mos përsërisim dhe sot pas 50 vjetëve batutat e filmave ‘Shqipëria e Re’: gëlltit një lugë çorbë të prishur dhe pastaj vjell tërë jetën”, theksoi Kryemadhi.

Pas daljes nga seanca plenare, Kryemadhi ka folur për mediet, duke u shprehur se ka abstenuar për zgjatjen e afateve të Vetingut.

“Vendimi ynë ka qenë për abstenim. Dhe vazhdojmë të kërkojmë që të bëhet një analizë e reformës në drejtësi, çfarë ka ndodhur. Asgjë më shumë nga ajo çfarë kërkojnë raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe ato që kanë bërë shoqatat joqeveritare”, u shpreh Kryemadhi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPOLONI – Kryeministri Morawiecki: Putini synon të copëtojë NATO-n
Artikulli tjetërMSHMS: 2,649,128 vaksinime anti-COVID deri tani