TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Qarku i Elbasanit që nga pasditja e djeshme dhe gjatë orëve të mbrëmjes është përfshirë nga reshje shiu e dëbore në lartësi.
Nga raportimet e strukturave të Emergjencave Civile në bashki rezulton së situata është nën kontroll.
“Akset rrugore janë të hapura, ndërsa ka pasur prezencë inertesh në aksin Gramsh-Moglice. Dëborë ka pasur në aksin Elbasan-Gjinar ku në orët e para ka krijuar pak problematika në qarkullim, por tani rruga është e hapur”, theksojnë strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë në rrugët e fshatrave, që lidhen me njësinë administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan dhe në segmentin Lunik-Klenjë të aksit rrugor nacional Librazhd-Stëblevë.
Sipas strukturave të Emergjencave Civile në bashkinë e Elbasanit nuk ka probleme me prurjet e lumenjve e përrenjve në qark, ndërsa furnizimi me energji elektrike paraqitet pa probleme.
/k.s/r.e/












