TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi sot për mbylljen e veprimtarisë së kopshtit “Flatrat e Dijes” në Fier dhe revokimin e licencës nga QKB.
Në një njoftim për mediet, MAS informoi se nisur nga rasti tragjik i Fierit, kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) ngritjen e një grupi pune për inspektimin e institucionit arsimor parashkollor, kopshti “Flatrat e Dijes”.
MAS theksoi se, “sipas relacionit të grupit të punës janë gjetur disa shkelje”.
Sipas relacioni kopshti “nuk ka drejtues Didaktik. Ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin”.
“Personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012, neni 57”, thuhet në relacion.
Po ashtu, kopshti, “nuk plotëson standardet infrastrukturore. Ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar. Nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit”.
Nisur nga këto shkelje, MAS mori vendimin për mbylljen e veprimtarisë së këtij kopshti dhe revokimin e licencës nga QKB.
/a.a/r.e/























