TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Kurshevë.
Po sot është vendosur edhe miratimi i marrëveshjes për lehtësimin e procedurave dhe kushtet e marrjes së lejeqëndrimit të përkohshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, “në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Kurshevë (Dragash)”.
Po sot është vendosur edhe për lehtësimin e procedurave dhe kushtet e marrjes së lejeqëndrimit të përkohshëm mes dy vendeve.
“Miratimi i marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, synon lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm”, thuhet në relacionin që shoqëron këtë vendim.
Të dy këto vendime hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/a.a/r.e/























