TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ “Inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 % gjatë viti 2022, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare”.
Kështu deklaroi sot Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko në konferencën për mediet, ku theksoi se “kjo goditje pritet të ketë efekte të përkohshme”.
“Analizat tona dhe të institucioneve ndërkombëtare sugjerojnë se tregjet do të normalizohen gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe se efekti i goditjeve të huaja në inflacionin shqiptar do të vijë në rënie”, u shpreh Guvernatori.
Sipas tij, inflacioni parashikohet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin 3 %, duke filluar nga viti 2023. Ndërsa kthimi dhe stabilizimi i inflacionit rreth objektivit do të mbështetet nga reduktimi i goditjeve të ofertës dhe nga balancimi i mirë i kërkesës dhe ofertës në ekonominë shqiptare dhe të rritjes së punësimit dhe pagave në linjë me produktivitetin.
Guvernatori bëri të ditur se, “balanca e rreziqeve rreth inflacionit mbetet e zhvendosur për lart. Rreziqet e kahut të sipërm burojnë kryesisht nga mundësia e një rritjeje më të shpejtë apo më të gjatë në kohë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, një trupëzim i tyre tek pritjet inflacioniste, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal. Rreziqet e kahut të poshtëm lidhen me një ndikim të mundshëm negativ të pandemisë në aktivitetin ekonomik”.
/a.a/r.e/














