Ballina Flash

Përkujtohet Zef Jubani, ideolog i Rilindjes Kombëtare

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Si sot më 1 shkurt 1880, u nda nga jeta një prej ideologëve të Rilindjes Kombëtare, Zef Jubani.

Veprimtaria e tij patriotike buron nga shëmbëlltyra e të atit, Ndok Ilisë, i cili pati marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në vitin 1786, mes forcave të Kara-Mahmud pashës dhe ushtrisë osmane. Ndok Ilia u bashkua në martesë me një shtetase nga Malta, duke u trashëguar nga Zefi dhe dy vëllezërit e tij.

Jubani i kreu studimet në shkollën tregtare të vendit të origjinës mëmësore. Më pas, do të kthehej në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, për të nisur angazhimin në detyra të shumta. Në vitin 1948, ai nisi të punonte si sekretar në konsullin francez të qytetit, si edhe u bë asistent i zëvendëskonsullit të Mbretërisë së Bashkuar në 1853-shin.

Gjithashtu, Jubani ka shërbyer si nëpunës, ekonomist, folklorist dhe shkrimtar. Ndërkaq, ka dhënë kontribut thelbësor në themelimin e organizatës së shegertëve “Shoqëria ndihmëtare” në Shkodër. Në orvatjen e vazhdueshme për lirinë e vendit ndaj zgjedhës së huaj, Jubani bashkëpunoi në organizimin e lëvizjes antiosmane të Mirditës, në vitin 1862.

Vepra e tij letrare karakterizohet nga një diametër identitar, që hedh dritë mbi pasurinë folkorike dhe përpjekjet për pavarësi të shqiptarëve. Në këtë frymë, ai shkroi serinë e publikimeve: “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare”, “Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Veriut” dhe “Kundrime mbi gjendjen morale dhe intelektuale të popullit shqiptar”. Qe autor edhe i librave të tjerë me tematikë historike, mes të cilëve “Histori e Gjergj Kastriotit”, mbeti i papërfunduar.

Në vitin 1868, nga galeria e paraardhësve të shquar të shqiptarëve, ai zgjodhi t’i kushtonte një poezi Elena Gjikës (Dora d’Istria) të titulluar “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”.

Domosdoshmëria e “rilindjes së letërsisë” ka qenë tema qendrore e diskutimeve që Jubani ka pasur me shkrimtaren e publicisten Gjika.

Sipas tij, krijimi i një alfabeti të përbashkët për shqiptarët ishte parakusht për zhvillimin e letërsisë kombëtare.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak30% e mallrave të përpunuara në portin e Durrësit me destinacion Kosovën
Artikulli tjetërFOKUS – OBSH: Pandemia ka krijuar mijëra tonë mbeturina mjekësore