Ballina Ekonomi

Bilali: Nxitje e investimeve të huaja në Shkodër   

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali u shprehe se “qeveria ka shumë projekte investimesh për Shkodrën, por qeverisja vendore (që drejtohet nga e djathta) është një mur për zbatimin e tyre”.

“Ka shumë fonde të qeverisë qendrore, të cilat nëse do të kishin një derë të hapur, një dorë bashkëpunimi do të alokoheshin shumë kollaj. Unë kam një premtim nga kryeministri Rama për të realizuar një vepër jo të vogël në Shkodër, siç është rikonstruksioni i plotë i bibliotekës së qytetit dhe kam një jo arritje për këtë projekt”, tha Bilali.

“Aktualisht, ne kemi 3 investime që nuk i kushtojnë bashkisë Shkodër asnjë lek dhe jemi ne negocim me MFE, për të gjetur një zgjidhje në zbatimin e tyre në Shkodër. Po punojmë ndërkohë për planin 4- vjeçar të zhvillimit të Shkodrës dhe nxitjen e investime të huaja aty”, tha ajo.

Bilali tha se, “investimet e huaja në Shqipëri pavarësisht perceptimit shënuan shifrën e 711 milionë euro nga janar-shtator 2021, ose 1.1% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Këto janë investime të reja, ose nga kompani të huaja që operojnë në vendin tonë dhe po zgjerojnë aktivitetin, siç është p.sh industria automotive  etj”

Lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Bilali tha se “në Shkodër, Partia Socialiste synon maksimizim e votës socialiste për të fituar qarkun”.

Sipas saj, “PS ka filluar punën që kohë më parë në Shkodër me të gjitha strukturat për të parë edhe çfarë shkaqesh ishin që sollën një rezultat jo të pritshëm në zgjedhjet e 25 prillit 2021”.

“Me kandidaten që kemi përzgjedhur Majlinda Angoni, do e arrijmë këtë rezultat”, tha ajo.

Bilali tha për Angonin se është kandidatura më natyrale për Shkodrën, pasi vjen nga shoqëria civile, është prefekte e qarkut Shkodër dhe ka dhënë kontribut mbi një dekadë për çështjen e barazisë gjinore. /a.a/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Johnson: BM do të godasë Moskën me sanksione nëse sulmon Ukrainën
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e mërkurë, 2 shkurt 2022