Ballina Ekonomi

Reforma e financave publike, instrument për përshpejtimin e integrimit në BE

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare “Sistemi i kontrollit të brendshëm, si një nga shtyllat kryesore në mirë menaxhimin e financave publike”.

Kjo konferencë u organizua nga MFE, në bashkëpunim me Projektin e Financave Lokale dhe mbështetjen e qeverisë zvicerane.

Në fjalën e saj Ibrahimaj tha se, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka si qëllim mbështetjen e vazhdueshme për njësitë publike në forcimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe përmirësimin e raportimit financiar të sektorit publik, si pjesë e reformave për mirëmenaxhimin e financave publike.

Përmes përmirësimeve të vazhdueshme të kuadrit ligjor, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, është bërë i mundur lehtësimi i zbatimit të procedurave në fushën e kontrollit të brendshëm. Janë kryer një sërë trajnimesh me qëllim rritjen e kapaciteteve të njësive publike, si ato në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal, ndërsa është ofruar asistentë teknike në ato institucione të cilat kanë shprehur interes për zbatimin e kërkesave të kontrollit të brendshëm, duke shërbyer si shembuj më të mirë për të implementuar dhe zbatuar më tej këtë reformë.

MFE harton çdo vit Raportin Vjetor mbi funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i cili përveç analizave del me rekomandime për arritjen e objektivave në këtë fushë.

Ndërsa vlerësoi punën e bërë deri më tani, Ibrahimaj theksoi se situata aktuale parashtron një axhendë mjaft ambicioze të reformave për të gjitha institucionet në nivel qendror, ndërkohë që gjatë vitit 2022 do të ketë një fokus të shtuar në institucionet e nivelit lokal.

“Për të arritur progres, duhet që vullneti dhe angazhimi i qëndrueshëm për reformat të jetë maksimal, me qëllim që kontrolli i brendshëm të jetë sa më efikas dhe sa më efektiv. Është me rëndësi kapaciteti i duhur i burimeve njerëzore dhe financiare, ku ne do të vazhdojmë të kryejmë trajnime në të gjitha nivelet e institucioneve, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi mes organizatave dhe institucioneve publike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje faktin se zbatimi  me rigorozitet i reformës në menaxhimin e financave publike dhe konkretisht prioritizimi i masave në fushën e kontrollit të brendshëm, pjesë e një prej kapitujve themelorë të Acquis (Kapitulli 32 “Kontrolli Financiar”), do të shërbejë si një instrument për përshpejtimin e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian, si një proces thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tonë.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBBC: Broja shija e shkëlqimit te ”Southampton”
Artikulli tjetërSoreca takim me Llagamin: Konsultime gjithëpërfshirëse për hartën e re gjyqësore