Ballina Aktualitet

Nano: Policia, angazhim maksimal për parandalimin e ngjarjeve të rënda

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano mori pjesë në analizën vjetore të punës të strukturave vendore të Policisë Dibër, ku theksoi se, “viti 2022 duhet të jetë viti i tolerancës zero për kultivimin e bimëve narkotike, angazhim maksimal për parandalimin e ngjarjeve të rënda dhe për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët”.

Nano vlerësoi punën e këtyre strukturave, në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike, parandalimit të ngjarjeve të rënda, të trafiqeve të paligjshme dhe drogës.

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga efektivët, për vitin 2022, një qasje tjetër me publikun, performancë më të mirë të Policisë tek qytetarët, për t’u ofruar atyre një shërbim sa më cilësor dhe duke treguar vlera që përmirësojnë imazhin e Policisë së Shtetit.

Në një prononcim për mediet pas takimit, Nano theksoi se “fokusi, në varësi të problematikave të çdo qarku, ka qenë domini i situatës kriminale nga strukturat e Policisë, në aspektin e kriminalitetit, sidomos në krimet e rënda; kapja dhe vënia para përgjegjësisë e të gjithë personave të kërkuar, atyre që mbajnë armë pa leje; kultivimi i kanabisit, ashtu siç unë e kam përmendur dhe në dalje të tjera të mëparshme, është një sfidë e cila është kërkuar me shumë forcë nga nga ana ime, në të gjitha strukturat policore, që këtë vit të kemi një rezultat tjetër dhe të pakrahasueshëm me asnjë vit tjetër të mëparshëm”.

Nano tha se “kam kërkuar me shumë forcë, nga të gjithë aktorët, agjencitë ligjzbatuese, të inteligjencës dhe të pushtetit vendor, të jenë më bashkëpunues, me qëllim që të gjithë së bashkë t’ia dalim kundër kësaj problematike, e cila e kategorizon vendin tonë, si një vend problematik në aspektin e kultivimit të kanabisit dhe jo vetëm”.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Nano theksoi se “jam i vendosur që për çdo sjellje të pahijshme apo në kundërshtim me ligjin, të çdo punonjësi policie, të kryhen hetimet apo verifikimet dhe të dilet me masa konkrete. Unë nuk jam për një Polici të dhunshme me qytetarët, jam për një Polici profesionale dhe me aftësi apo me rezultate të qarta dhe të suksesshme ndaj kriminalitetit”.

I pyetur nëse Policia e Shtetit ka një plan për ta riparë dhe njëherë “çarmatosjen” e popullatës, Nano u shpreh se “Policia e Shtetit vepron bazuar në kompetencën dhe objektin e punës së saj që ka dhe detyra jonë është të kapim dhe të vëmë para përgjegjësisë penale, të gjithë personat që mbajnë armë pa leje. Vendime të tjera për për sa i përket “çarmatosjes”, nuk janë vendime që i takojnë Policisë për t’i marrë, janë iniciativa në nivele akoma më të larta”.

Nano tha se “po synojmë në bashkëpunim dhe me të gjithë aktorët, si brenda vendit, ashtu dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të kemi një Polici sa më evropiane, kjo nuk bëhet as për një ditë, as për dy ditë, do kohën e vet”.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHardy Krüger vdes në moshën 93-vjeçare
Artikulli tjetërFRANKFURT – Lagarde: Rritja e shpejtë e normave të interesit ngadalëson rritjen ekonomike