TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, së bashku me qeverinë e SHBA po flitet për një projekt që ka të bëjë me krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, Rama u shpreh se “së bashku me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, përmes angazhimit, – dhe këtë unë e them sepse është e vërtetë, pavarësisht se asnjëherë nuk jam i lumtur kur më duhet të përmend ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, sepse është bërë një lloj zakoni në këtë vend që përmendet ambasadorja e Shteteve të Bashkuara vend e pa vend, por kjo është e vërteta, – falë angazhimit të drejtpërdrejtë të saj, në një ndërmjetësim të vazhdueshëm të qeverisë sonë, Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe strukturave përkatëse në anën tjetër të oqeanit, jemi duke folur për një projekt që ka të bëjë me krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe si një vlerë e shtuar për gjithë NATO-n”.
“Gjëra që mund të duken komplet të pabesueshme, siç dukej i pabesueshëm fakti që ne do kishim këtu një bazë taktike të NATO-s, por që falë miqësive të duhura, partneriteteve të duhura, të ndodhurit në vendin e duhur, si anëtarë të NATO-s, falë pozicionit tonë strategjik dhe falë vullnetit dhe pasionit për t’i dhënë një përmasë tjetër Shqipërisë, duke shfrytëzuar, jo vetëm pozicionin gjeografik, si rasti konkret, dhe as pozitën tonë shumë të mirë në NATO, por edhe teknologjinë dhe inovacionin, ne mund ta bëjmë realitet edhe këtë që sapo thashë”, u shpreh kreu i qeverisë.
/j.p/r.e/













