TIRANË, 18 janar/ATSH/ Shkolla e mesme e bashkuar “Haxhi Qira” në Thumanë të Krujës do të hapë së shpejti dyert e ambienteve bashkëkohore dhe do të mirëpresë 477 nxënësit dhe 34 mësuesit e saj.
Rindërtimi i shkollës nisi në mars 2021 në kuadër të programit #EU4Schools, ndërsa punimet përfunduan brenda 8 muajsh.
4500 përfitues nga komuniteti i Thumanës do të gëzojnë një institucion arsimor dinjitoz dhe me standarde evropiane për procesin mësimor: të sigurtë, me sistem ngrohjeje dhe ftohjeje, me sistem për mbrojtjen nga zjarri, izolim termik, kamera sigurie, instalime elekrike dhe hidrosanitare, instalime të sistemit të teknologji-informacionit, ndriçim për raste emergjence etj.
E rindërtuar nga e para në bazë të parimeve themelore rindërtojmë së bashku dhe rindërtojmë më mirë, shkolla e mesme e bashkuar “Haxhi Qira” është pjesë e Programit “EU4Schools”, i financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.
Në kuadër të këtij programi, po rindërtohen ose riparohen 63 objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë afërsisht 24.000 fëmijë, nxënës e mësues.
Shkolla ka 21 klasa, 2 laboratorë biologjie dhe 2 laboratorë kimie, dhomë mjeku dhe psikologu, terren sportive me një sipërfaqe 340m2.
/k.s/a.a/r.e/























