Edhe planetë ”mashtrues”?

ROMË, 15 janar /ATSH/ – Qindra miniplanetë të paverifikuar enden në boshllëkun e hapësirës pa një yll ”prind”, pa një objekt për t’u lidhur me të në një orbitë të rregullt.

”Ata janë planetë endacakë, mjaft të ngjashëm me çdo planet në çdo sistem diellor, por pa një yll referimi”, sipas një studimi të botuar në revistën shkencore ”Nature Astronomy”, shkruan faqja focus.it.

Një zbulim shumë i veçantë, pikërisht për shkak të numrit të madh të planetëve, por edhe për faktin se mund të ndihmojë për të kuptuar origjinën misterioze të këtyre objekteve.

Planetët endacakë, të quajtur gjithashtu planetë ”ndëryjorë” ose planetë ”jetimë”, madje nëse doni t’i përmbaheni përkthimit të mirëfilltë nga gjuha angleze, planetë ”mashtrues”, janë jashtëzakonisht të pakapshëm dhe të vështirë për t’u vëzhguar si objekte, pasi nuk kanë asnjë yll që i ndriçon ato dhe asnjë ndikim të rregullt gravitacional me objektet e tjera.

Nga vijnë ata?

Kjo është pyetja që astronomët i kanë bërë vetes. Aktualisht ekzistojnë dy hipoteza, ndoshta të dyja të sakta. E para thotë se këta planetë ”u hodhën” nga sistemet diellore në një moshë të re, kur planetët e mëdhenj nuk ishin stabilizuar ende në orbita.

Hipoteza e dytë, megjithatë, thotë se ato janë rezultat i një kolapsi të një reje gazi shumë të vogël për të formuar një yll./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.