TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtoresha e Insitutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se “këto ditë kanë shënuar pikun e pandemisë në vend, për shkak të qarkullimit të variantit Delta dhe Omicron dhe grumbullimeve të festave të fundvitit, por situata në spitale vijon të mbetet e paqëndrueshme”.
Në mbledhjen e radhës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, Tomini tha se “sa i përket situatës epidemiologjike në vend tashmë ka reflektuar një përhapje javore, e cila është tepër e rritur duke reflektuar një përqindje të pozitivitetit të mostrave në 24 orë. E ndjekur sigurisht edhe nga një përhapje e lartë e lartë e hasjes së rasteve pozitive në dy javët e fundit.”
“Kjo rritje i atribuohet qarkullimit të dy varianteve, variantit Delta dhe variantit Omicron, por njëkohësisht i atribuohet edhe mosrespektimit të grumbullimeve në festat e fundvitit dhe përkatësisht reflektim në pozitivitet në këto javë në të cilat survejanca epidemiologjike, survejanca e integruar laboratorike ka reflektuar një rritje të rasteve pozitive”, theksoi Tomini.
Tomini bëri të ditur se aktualisht në vend qarkullon edhe virusi i gripit dhe variantet e Omicron dhe Delta po bëjnë një qarkullim dhe transmetueshmëri në nivele të larta.
“Përhapja javore dhe dy javore janë përfshirë në shumëfishim të hasjes së tyre, por ndërkohë e pareflektuar me një trend të rasteve të hospitalizuara ku kemi një qëndrueshmëri. Kjo përhapje e lartë ka reflektuar edhe pikun më të lartë të dy viteve, këto ditë kanë reflektuar pikun më të lartë të pandemisë të hasur në vend”, tha Tomini.
/k.s/a.a/r.e/






















