TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Skema për mbështetjen financiare të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të rishikohet për tu bërë më lehtë e përthithshme nga biznesi.
Drejtoria e Politikave të Zhvillimit Ekonomik, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka hartuar projektligjin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, me qëllim rritjen e mbështetjes së biznesit për të forcuar konkurrueshmërinë e tyre dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Deri më sot, ka pasur një interes të ulët në skemat e bashkëfinancimit të AIDA-s, për shkak të mungesës së informacionit nga bizneset, mënyrës së aplikimit, e cila ka qenë nëpërmjet postës dhe jo në formë elektronike, mungesës së shërbimeve mbështetëse për biznesin etj.
Projektligji ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të shqyrtohet në Komisionet Parlamentare mundëson krijimin e një një kuadri ligjor dhe institucional më të plotë, i cili iu përgjigjet nevojave të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Objektivat dhe rezultatet e synuara të projektligjit janë rritja e mbështetjes për NMVM-të me 50%, rritja e aplikimeve për teknologji të reja nga zero aktualisht në 50% brenda vitit 2022, rritja çdo vit e numrit të ndërmarrjeve të reja me, rritja e numrit të të punësuarve, futja e instrumenteve të reja financiare me 10%, respektivisht për çdo tregues, si dhe rritja e shkallës së përthithjes së granteve me 100% nga bizneset.
Përmes këtij p/ligji për herë të parë, mbështetja shtetërore për NVM-të është e strukturuar në formatin: mbështetje financiare nga buxheti i shtetit; mbështetje financiare nga partnerët për zhvillim vendas ose të huaj;garanci shtetërore të huas sipas ligjit në fuqi për borxhin dhe garancitë shtetërore, në zbatim të politikave të veçanta të qeverisë, në përputhje me parimet dhe rregullat fiskale mbi qëndrueshmërinë e borxhit publik si dhe kufizimet e borxhit shtetëror e të garancive shtetërore të huave; si dhe shërbime publike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
Një tjetër risi që sjell p/ligji është edhe përfshirja e programeve për të financuar drejtpërsëdrejti bashkëpunimin e ndërmarrjeve dhe akademisë edhe pse si ndërmarrjet si organizatat kërkimore kanë të drejtë të aplikojnë për thirrje për propozime pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion.
Asnjë mbështetje financiare direkte nuk ekziston në formën e granteve për kërkime dhe zhvillim (R&D). Referuar projektraportit të monitorimit të SEE 2020 të RCC-së për vitin 2019-2020, raportohet se gjenden statistika të besueshme dhe gjithëpërfshirëse për kërkimin, zhvillimin dhe inovacionin (R&D dhe Inovacion) në shtetet e rajonit, si Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ndërkohë që tri ekonomitë e tjera të ËB (Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë-Herzegovinë) nuk kanë bërë asnjë përparim në këtë fushë. /a.a/






















