Ballina Flash

Shkodër, arrestohet një shtetas për mashtrime kompjuterike

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Policia e Shkodrës ka ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar ‘‘North Forex”, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim K. M., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, më datë 21.11.2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë ‘‘Arrest në burg“, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

“Më herët, në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” për Hetimin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër,  janë vënë në pranga 9 persona të cilët kishin krijuar një skemë mashtrimi kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj”, informon Policia.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdahen çmimet për fituesit e Olimpiadave Kombëtare 2020-2021
Artikulli tjetërCOVID-19 – Gjysma e gjermanëve të pakënaqur me fushatën e vaksinimit