ATHINË, 24 dhjetor /ATSH-ANA/ – Masat e reja të këshilluara nga komiteti i ekspertëve epidemiologjikë hynë në fuqi nga ora 6:00 e mëngjesit të së premtes dhe do të zbatohen deri më 2 janar. Ato përfshijnë mbajtjen e detyrueshme të maskave në të gjitha hapësirat publike, në ambjentet e brendshme dhe të jashtme, përfshirë palestrat dhe baret, me përjashtim kur personat janë duke konsumuar pije ose ushqime.
Për më tepër, masat e shpallura të enjten nga ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris urdhërojnë që në supermarkete dhe transport public, të përdoret një maskë e dyfishtë ose maskë me mbrojtje të lartë KN95.
Të gjitha eventet festive të organizuara për Krishtlindje si nga entet publike ashtu edhe ato private, për shembull programet e ngjarjeve festive të organizuara nga bashkitë, janë anuluar me përjashtim të parqeve tematike të Krishtlindjeve.
Udhëtarët që hyjnë në Greqi nga e premtja duhet t’i nënshtohen testit të Covid-19 gjatë ditës së dytë dhe të katërt pas mbërritjes së tyre, përveç testit të bërë përpara se të hyjnë në vend.
Ministri ka rekomanduar gjithashtu që personat që do të marrin pjesë në grumbullime shoqërore t’i nënshtohen testit të Covid-19, ndërsa këshillon që të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë kontakteve me personat e rrezikuar ose të moshuarit. //a.i/























