Ballina Ekonomi

Inflacioni sipas metodës Eurostat 3.3 % në nëntor

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Niveli i përgjithshëm i çmimeve (inflacioni) i matur sipas metodës së Eurostat u rrit me 3.3 % në muajin nëntor.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) rritja më e madhe e çmimeve prej 5,6 % vërehet në grupet “ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “transporti” me 5 %, “argëtim dhe kulturë” me 3,2 %, “komunikimi” me 3,1 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 2,6 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,5 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 1,1 %, “shëndeti” me 1,0 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,8 % secili dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,8 %.

Në muajin nëntor, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,1 %.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,8 %, pasuar nga grupi “pije alkoolike dhe duhan” me 0,3 %, “veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Omicron shtyn forumin ekonomik të Davosit
Artikulli tjetërDogjën 4 flamuj të Serbisë, arrestohen 2 shtetas dhe procedohen 6 të tjerë