Ballina Aktualitet

Dekorohen drejtuesit e projektit PAMECA V në përfundim të misionit

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i akordoi medalje nderi drejtuesit të projektit PAMECA V, Carlo D’Achille, në përfundim të misionit në Shqipëri.

Medalja iu akordua me motivacionin “Për kontribut të çmuar dhe asistencën e dhënë në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, për përmbushjen e objektivave për një luftë proaktive kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar, trafiqeve, terrorizmit dhe menaxhimin e kufirit, si edhe për përafrimin me standardet evropiane të policimit, si faktorë kyç në përmbushjen e kritereve dhe prioriteteve në kuadër të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët shqiptarë”.

Propozimi për këtë dekorim u bë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano dekoroi edhe ekspertët afatgjatë të projektit PAMECA V, Gilles Locchi, Giovanni Pasqua dhe Maurizio Mirarchi.

Të tre ekspertëve të huaj iu akordua certifikata për shërbime të dalluara, me motivacionin “Për kontribut të çmuar dhe asistencën e dhënë në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, për përmbushjen e objektivave për një luftë proaktive kundër krimit dhe përafrimin me standardet evropiane të policimit, si edhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët shqiptarë”.

Medalja e nderit dhe certifikatat u dorëzuan gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ditën e sotme.

Në ceremoni ishin të pranishëm zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci, përfaqësues të tjerë të projektit PAMECA V dhe të Policisë së Shtetit.

Zv.ministri Hodaj, drejtori i Përgjithshëm Nano dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri Bucci kanë vlerësuar maksimalisht rolin dhe kontributin e drejtuesit të misionit PAMECA V,  Carlo D’Achille, në forcimin e marrëdhënieve të Policisë së Shtetit me Policinë italiane, delegacionin e BE-së dhe ambasadën italiane në Tiranë.

Drejtuesi i Misionit PAMECA V, Carlo D’Achille falënderoi ministrin Çuçi, për medaljen, drejtorin e Policisë së Shtetit, për vlerësimin e bërë, si dhe ambasadorin Bucci, për gjithë mbështetjen e dhënë gjatë kohës që ai ishte në drejtim të këtij misioni.

D’Achille ka falënderuar edhe delegacionin e BE-së në Shqipëri, për mundësinë e dhënë për të drejtuar Projektin PAMECA V.

Gjithashtu D’Achille shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin dhe rezultatet që Policia e Shtetit ka arritur në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Projekti PAMECA V pritet të ndiqet nga një projekt pasardhës në fushën e agjencive ligjzbatuese.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Prodhimi i makinave përgjysmohet që nga viti 2017
Artikulli tjetërPOLONI – Shumica e qytetarëve refuzojnë azilin për migrantët