FRANKFURT, 21 dhjetor /ATSH-DPA/ – Gjermania si një vend i zhvilluar në sektorin automobilistik, është prekur shumë më tepër se vendet e tjera nga kriza e gjysmëpërçuesve, kanë paralajmëruar ekspertët e industrisë.
Këtë vit, vetëm 2.85 milionë makina pasagjerësh do të dalin nga linja e prodhimit në Gjermani, sipas një studimi të publikuar të martën nga Qendra private për Kërkime Automobilistike (CAR).
“Sipas studimit kjo shifër do të ishte 50 për qind më pak se në vitin 2017 dhe më pak se në çdo kohë që nga kriza e naftës e vitit 1974”, vuri në dukje drejtori i studimit, Ferdinand Dudenhoeffer.
Studimi tregoi se fabrikat në Gjermani u prekën në mënyrë disproporcionale nga kriza e gjysmëpërçuesve. Në qendrat më të mëdha të prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kinës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Meksikës, rënia e prodhimit ishte më e ulët në terma përqindjeje. Në Indi, prodhimi i makinave shënoi një rritje në vitin 2021.
Prodhuesit kryesorë gjermanë të makinave, VW, Mercedes-Benz dhe BMW kishin ulur prodhimin e tyre vendas.
Dudenhoeffer i sheh shifrat si një sinjal të qartë paralajmërues, ndërsa nënvizon se sektori gjerman i automobilave do të rimëkëmbet në vitin e ardhshëm. //a.i/













