Ballina Ekonomi

Rritja ekonomike në 2021 -shin mbi 7.8 %

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës së shkaktuar nga pandemia që preku mbarë globin përgjatë vitit 2020, e cila preku vendin direkt pas tërmetit të vitit 2019.

“Kjo qeveri u gjend në kohë rekord pranë atyre që u dëmtuan nga tërmeti duke iu gjetur një strehë të përkohshme e më pas një strehë për të cilën paguajmë deri në kthimin në shtëpinë e rindërtuar. Po ashtu, në kohë rekord reaguam për tu ardhur në ndihmë të punësuarve që u gjenden pa punë dhe familjeve me ndihmë ekonomike për shkak të pandemisë”, tha ministrja.

Ministrja hodhi poshtë akuzat e opozitës për dështim të ekonomisë.

“Në fakt shifrat nuk e tregojnë këtë. Ndërmorëm reforma me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, efekti I të cilave u pa që në tremujorin e katërt të vitit 2020. Në fillim të këtij viti parashikonim rritje ekonomike në nivelin 4.4 %. Tani, jo sipas nesh, por institucioneve financiare ndërkombëtare rritja ekonomike parashikohet mbi 7.8 %. Kjo rritje është e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë“, tha ministrja.

Sipas saj, masat konkrete që u ndërmorën ndikuan edhe në një ecuri pozitive të punësimit.

“Kemi arritur normën e papunësisë së parakrizës. Në fund të mandatit synojmë që papunësia të jetë në normë njëshifrore”, tha ajo.

Ministrja u ndal edhe në ndryshimet e bëra në buxhet përmes Aktit Normativ.

“Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit rriten me 18.2 miliardë lekë. Rritja e të ardhurave mbështetet në ecurinë pozitive të realizimit të tyre gjatë periudhës 11-mujore dhe pritshmërive që ky trend të vazhdojë deri në fund të vitit. Rriten me 4.5 miliardë lekë shpenzimet për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nga të cilat 3.5 miliardë lekë janë për financimin e shpërblimit të fundvitit për 670 mijë pensionistë. Rriten me 7 miliardë lekë shpenzimet për fondin e rindërtimit, për të financuar projektet në vazhdim. Rriten me 1.4 miliardë lekë shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të akumuluara. Rriten me 800 milionë lekë shpenzimet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Rriten me 340 milionë lekë shpenzimet për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për financimin e vijueshëm të skemës së fermerëve për vitin 2021”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, Akti Normativ ruan të pandryshuar treguesit kryesorë makroekonomikë, si deficitin buxhetor dhe borxhin publik.

Deficiti buxhetor për vitin 2021 vlerësohet të jetë 6.8 % e PBB, ndërsa borxhi publik 80.6 % e PBB. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFestat e fundvitit, shpërblime vetëm për Policinë, KPA, Komisionerin Publik dhe KPA
Artikulli tjetërBuxheti 2022, Veliaj: Fokusi te teknologjia