Ballina Bota

COVID-19 – BioNTech/Pfizer teston dozën e tretë të vaksinës tek fëmijët e vegjël

NJU JORK, 17 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kompania amerikane farmaceutike ‘Pfizer’ dhe partneri i saj gjerman ‘BioNTech’ po planifikojnë të shtojnë një dozë të tretë në provat klinike të vazhdueshme të vaksinës së koronavirusit për fëmijët e vegjël nga 6 muaj deri në 4 vjeç.

Kompanitë njoftuan të premten se një dozë e tretë e vaksinës do të testohet dhe do të administrohet 2 muaj pas dozës së dytë.

Kjo do të thotë se rezultatet e pritura më parë për këtë vit ose në fillim të vitit të ardhshëm ka të ngjarë të vonohen, ndërsa kompanitë i presin ato në gjysmën e parë të 2022.

Vendimi u mor pasi të dhënat fillestare treguan se fëmijët e moshës 2 deri në 5 vjeç nuk iu përgjigjën aq mirë vaksinës sa iu përgjigjën adoleshentët dhe të rriturit 16 vjeç e lart dhe fëmijët midis 6 dhe 24 muajsh.

“Asnjë shqetësim nuk është identifikuar deri më tani”, raportuan kompanitë.

Sipas kompanive, në studim marrin pjesë rreth 4500 fëmijë nga 6 muajsh deri në 11 vjeç nga disa vende.

Vaksina është miratuar për fëmijët e moshës 5 vjeç e lart në SHBA dhe vendet e BE-së.

BioNTech dhe Pfizer do të kryejnë studime për një dozë të tretë vaksine për fëmijët midis moshës 5 dhe 12 vjeç. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOSBE mbështetje policisë në luftën kundër krimit të organizuar
Artikulli tjetërPërfaqësues të Sindikatës së Fermerëve takim me Krifcën dhe Ibrahimaj: Bashkë për të fuqizuar bujqësinë