TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se po ndjek me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokuara nga reshjet e borës.
“Jam informuar se situata paraqitet më problematike në qarkun e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë”, tha Meta.
Po ashtu, ai theksoi se përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara.
Meta tha se në veri, verilindje dhe juglindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës.
“Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm, sipas IGJEUM, që prej ditësh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit”, shtoi ai.
Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, Meta u bëri thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës.
/m.m/j.p/












