TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Policia e Shkodrës goditi sot një tjetër rast të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë 8 shtetas.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. U., 30 vjeç, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit”, “ Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm”.
Gjatë kontrollit në një bar-kafe të paregjistruar në organet tatimore që e përdorte shtetasi N. U, në Pulaj ‘ Velipojë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një shumë parash, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra për lojën e pokerit që ky shtetas e organizonte në lokalin e tij.
Po ashtu u arrestuan shtetasit M. R., 27 vjeç, F. G., 18 vjeç , A. S., 38 vjeç, M. B., 21 vjeç, N. A., 36 vjeç, T. B., 53 vjeç, E. L., 37 vjeç për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit”.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.
/m.m/j.p/























