Ballina Ekonomi

Dëmtohet trageti i linjës Bari-Durrës, MIE grup pune për hetimin e incidentit

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se trageti i linjës Bari-Durrës, “RIGEL III”, si pasojë e keqfunksionimit të sistemit të transmetimit të komandës, ka goditur kalatën nr. 8 në pjesën e kiçit në bordin e djathtë, duke shkaktuar një dëmtim dhe çarje të skafit.

“Rreth orës 01:43 të ditës së sotme, në terminalin e trageteve në Portin e Durrësit, gjatë manovrave për të dalë nga porti, trageti i linjës Bari-Durrës, “RIGEL III”, si pasojë e keqfunksionimit të sistemit të transmetimit të komandës, ka goditur kalatën nr. 8 në pjesën e kiçit në bordin e djathtë, duke shkaktuar një dëmtim dhe çarje të skafit”, bën të ditur MIE.

MIE informoi se autoritet përkatëse morën masat në vazhdimësi, në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese në port, për menaxhimin e situatës me pasagjerët, duke i sistemuar gjatë natës në dhoma dhe qëndrim të sigurt në kalatë në terminal.

“Agjencia detare ka kompensuar pasagjerët për biletat që kishin prerë dhe ka mundësuar nisjen e tyre me tragetin “RIGEL 7” sot në mbrëmje”, tha MIE.

Ndërkohë, sipas MIE-s, është ngritur grupi i punës për hetimin e incidentit të ndodhur dhe u morën masa për riparimin e dëmeve.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakINSTAT: Inflacioni në nëntor arriti 3.1 %
Artikulli tjetërFOKUS – Morawiecki: Putin kërkon përçarjen e Evropës