Çuçi: Policia, barrë kryesore për adresimin e dhunës mbi bazë gjinore

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka folur sot pasdite në tryezën e organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme për fenomenin e dhunës mbi bazë gjinore.

Çuçi tha se ka marrë angazhimin politik dhe personal për të fuqizuar më tej mjetet dhe mekanizmat në dispozicion, përmes hartimit të politikave parandaluese dhe ligjzbatuese, për të çuar në një tjetër nivel betejën e shoqërisë kundër dhunës me bazë gjinore.

Sipas tij, nuk mjafton që Policia e Shtetit të zbatojë ligjin duke parandaluar dhunën apo duke arrestuar dhunuesit, nëse më pas sistemi i drejtësisë nuk vepron në zbatim të ligjit.

“Dhuna mbi bazë gjinore është një plagë e madhe në shoqërinë tonë, që buron nga pabarazia gjinore, me të cilën gratë dhe vajzat përballen gjatë gjithë jetës së tyre. Për adresimin e këtij fenomeni dhe plotësimin e detyrimeve të Axhendës 2030, janë angazhuar një sërë institucionesh publike. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë një rol kyç në parandalimin dhe trajtimin rasteve të dhunës në familje, si dhe mbrojtjen e të mbijetuarave të kësaj dhune”, tha Çuçi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.