GJERMANI- Scholz shpall emrat kryesorë të kabinetit qeveritar

BERLIN, 6 dhjetor /ATSH-AA/- Kancelari i emëruar i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëroi disa gra sot në postet kryesore të qeverisë, duke përmbushur premtimin e tij të fushatës zgjedhore për një kabinet të balancuar gjinor.

Udhëheqësi socialdemokrat emëroi Christine Lambrecht, ministren aktuale të drejtësisë të vendit, si ministre e mbrojtjes.

Nancy Faeser, një politikane me përvojë, do të bëhet ministrja e parë femër që do të udhëheqë ministrinë e brendshme të vendit.

Scholz u tha gazetarëve se katër nga shtatë postet ministrore të Social Demokratëve (SPD) në qeverinë e re të koalicionit do të plotësohen nga gra.

Ai emëroi Svenja Schulze, ministren aktuale të mjedisit, si ministre të zhvillimit. Klara Geywitz, një figurë e shquar e socialdemokratëve, do të marrë postin e ri të ministres për strehimin.

Partneri i koalicionit të SPD-së, të Gjelbrit, emëroi gjithashtu politikanet femra në postet kyçe në qeverinë e re.

Annalena Baerbock, bashkëkryetarja e të Gjelbërve, do të bëhet ministrja e ardhshme e jashtme e Gjermanisë, kurse Steffi Lemke do të drejtojë ministrinë e mjedisit.

Qeveria e koalicionit trepartiak e SPD-së, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë Liberalë, do të betohet në parlamentin federal të mërkurën.

SPD e Scholz-it fitoi ngushtë zgjedhjet e 26 shtatorit kundër Kristian Demokratëve të Angela Merkelit dhe arriti një marrëveshje koalicioni me dy partitë më të vogla muajin e kaluar.

Pas 16 vitesh në pushtet, Merkel nuk kandidoi në zgjedhje dhe tha se do të largohet nga politika aktive sapo qeveria e re të marrë detyrën.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.