Ekspozita “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore” në Shkup, Prishtinë e Tiranë

TIRANË, 6 dhjetor/ ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë së bashku me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup çelën ekspozitën me titull “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.

Ekspozita fillimisht u hap sot në Shkup në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, me pjesëmarrjen e zv.kryeministrit të parë shqiptar në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Asani dhe përfaqësuesit të trungut familjar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina.

Ekspozita u hap pas mesdite edhe në ambientet e galerisë së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, ku fjalë rasti mbajti edhe Gazmend Boletini përfaqësues i familjes së trungut të Isa Boletinit, si dhe Eqerem Zenelaj profesor i historisë.

Ekspozita flet mbi veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si Kryeministër i Shqipërisë.

Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve kundërosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.

Pjesë e ekspozitës janë po ashtu edhe letërkëmbimet e Hasan Prishtinës me personalitete të kohës mbi rëndësinë e çështjes shqiptare në prag të shpalljes së pavarësisë, mbi masakrat që bëheshin në popullsinë civile, prezantimi i Shqipërisë në Konferencën e Paqes, veprimtaria shtetërore e Hasan Prishtinës pas Kongresit të Lushnjës, si dhe paraqitja e qeverisë së Hasan Prishtinës dhe disa akte të dala nga kjo qeveri.

Gjithashtu ekspozita përmban një pjesë të jetës që ka shkruar një studiues gjerman për Hasan Prishtinën dhe vendimet e gjykatave apo institucioneve të tjera për ndalimin e futjes së tij në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe dënimin e tij.

Secila stendë me temat e saj specifike përmban edhe foto personale të Hasan Prishtinës të cilat ruhen në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror.

Ekspozita do të vazhdojë rrugëtimin e saj duke u shpalosur nesër në Tiranë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.