VJENË – Karl Nehammer betohet si kancelari i ri i Austrisë

VJENË, 6 dhjetor /ATSH-DPA/- Ish-ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer u betua si kancelari i ri i vendit, duke udhëhequr një qeveri koalicioni midis Partisë së tij Popullore Austriake (OeVP) të qendrës së djathtë dhe të Gjelbërve.

49-vjeçari Nehammer, i njohur si ithtar i kufizimeve të rrepta të migracionit, u betua sot tek presidenti austriak Alexander Van der Bellen dhe pason Alexander Schallenberg, i cili ka qenë në detyrë vetëm dy muaj pas dorëheqjes së kancelarit Sebastian Kurz.

Schallenberg tani do të kthehet në postin e tij si ministër i Jashtëm.

Nehammer merr detyrën në rrethana të vështira. Koalicioni i OeVP dhe i Gjelbërve, në pushtet që nga viti 2020, është në terren të ‘’paqëndrueshëm’’ për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta politike.

Edhe në betejën për të frenuar valën e katërt të pandemisë Covid-19, partnerët e qeverisë shpesh kanë qenë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

Austria është aktualisht në lockdown deri më 13 dhjetor, megjithëse drejtuesit e turizmit dhe biznesit kanë frikë se kufizimet mund të zgjaten, të paktën pjesërisht, përtej kësaj date. Vendimi pritet në ditët në vijim.

Deri pak muaj më parë, konservatorët ishin ende shumë përpara në sondazhe. Megjithatë, sondazhet e fundit i kanë vënë socialdemokratët përpara OeVP-së për herë të parë në vite. Apelet e opozitës për zgjedhje të reja po bëhen më të forta. /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.