Dita Botërore kundër HIV-AIDS, 36.3 milionë të vdekur në gjithë botën

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ 1 Dhjetori njihet ndryshe si Dita Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA).

E vendosur që në vitin 1988, kjo datë është një ditë reflektimi dhe përpjekjesh, jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës.

HIV-AIDS mbetet një nga sfidat e shekullit, jo vetëm në Shqipëri, por për në mbarë botën.

Sipas OKB-së, 37.7 milionë njerëz në mbarë botën ishin me HIV në vitin 2020, ndërsa 680,000 vdiqën nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n në të njëjtin vit.

Që nga fillimi i shpërthimit të HIV, rreth 79.3 milionë njerëz janë infektuar me HIV dhe 36.3 milionë kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.

Nga 37.7 milionë njerëz që ishin me HIV në vitin 2020, 36 milionë ishin të rritur, 53 % ishin gra dhe vajza dhe 84% ishin në dijeni për gjendjen e tyre.

1 Dhjetor 2018, Dita Botërore e AIDS bën së bashku njerëz nga e gjithë bota për të rritur ndërgjegjësimin për HIV dhe AIDS dhe për të demonstruar solidaritet ndërkombëtar përballë pandemisë. 1 milion është numri i personave që vdesin çdo vit në botë nga HIV, sepse nuk e dinë që kanë HIV dhe nuk marrin mjekim, ose e fillojnë mjekimin me vonesë.
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James W. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë.
Kjo ditë është një mundësi për partnerët publikë dhe privatë që të rrisin ndërgjegjësimin për pandeminë dhe të inkurajojnë progresin e bërë në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV dhe AIDS anembanë botës.

1 Dhjetori është bërë një nga ditët më të njohura ndërkombëtare të shëndetit dhe një mundësi kyçe për të rritur ndërgjegjësimin për të kujtuar ata që kanë humbur jetën dhe për të festuar arritjet, siç është rritja e qasjes ndaj shërbimeve të trajtimit dhe parandalimit.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.