TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta përkujtoi sot në Ditën Botërore kundër HIV/AIDS jetët e humbura prej saj në vendin tonë.
Meta shprehet se kjo ditë bën të mundur reflektimin mbi nevojën e përmirësimit të vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor.
“Në Ditën Botërore kundër HIV/AIDS kujtojmë jetët e humbura prej saj në vendin tonë, për të reflektuar mbi nevojën e përmirësimit të vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor”, theksoi Meta.
Presidenti Meta shprehet se “me rëndësi mbetet edukimi cilësor dhe ndërgjegjësimi, sidomos i të rinjve, për të minimizuar jo vetëm përhapjen, por edhe luftuar paragjykimet dhe diskriminimin, që bëhen pengesë për shërbimet e parandalimit dhe trajtimit”.
1 dhjetori njihet ndryshe si Dita Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA). E vendosur që në vitin 1988, kjo datë është një ditë reflektimi dhe përpjekjesh, jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës.
/k.s/j.p/r.e/























